Parlamenti i Brazilit shpërdoron shtetin juridik

Ka boll shkaqe për të qenë kundër Dilma Roussefit dhe qeverisë së saj. Por votimi në Dhomën e Poshtme të Parlamentit brazilian ishte një spektakël i veçantë hipokrizie – dhe një turp për Brazilin, mendon Francis França, njofton DW.

Ishte mbledhja më e gjatë në historinë e Dhomës së Poshtme të Parlamentit brazilian. Asnjëherë më parë, përfaqësuesit e popullit në Brazil nuk i kanë kushtuar ndonjë çështjeje përkushtim të krahasueshëm – as ligjeve anti-korrupsion, as reformës së nevojshme të sistemit politik. Por këtë e bënë me përpjekjen për shkarkim të Dilma Roussefit. Në fund për këtë votuan 367 deputetë, pra 25 më shumë se nevojitej, vetëm 137 qenë kundër.

Russefin e fajësojnë se e ka zbukuruar buxhetin shtetëror në mandatin e saj të parë, nga 2011-2014. Shifrat e vërteta mund t’i kishin kushtuar asaj rizgjedhjen, pasi në fund të vitit 2014 ajo fitoi me diferencë tepër të vogël votash.

Pyetje me rëndësi vendimtare nuk shtrohen

Për vlerësimin e shkarkimit të synuar janë vendimtare tri pika: a bëhet fjalë në shkeljet për të cilat e fajësojnë atë për vepra penale? Sepse presidentë dhe guvernatorë të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë, pa u dënuar ndonjëherë për këtë. Së dyti: a mban personalisht përgjegjësi Presidentja për këtë? Dhe së treti: a luan buxheti shtetëror i 2014-ës ndonjë rol? Sepse raporti që është paraqitur shtron pyetje vetëm për vitin buxhetor 2015, kur qeveria kishte hequr dorë nga zbukurimet.

Asnjë nga këto çështje as nuk u përmend në mbledhjen e stërzgjatur të Dhomës së Poshtme të Parlamentit brazilian. Në vend të kësaj, u dëgjuan argumenta shumë të çuditshme, prej të cilave disa – pa u shqiptuar mirë – gjetën rrugën në rubrikën e të qeshurave të mediave sociale: atje u votua në interes “të familjes”, “të krishtërimit” dhe madje “të ushtrisë” për shkarkimin e Roussefit.

Shtet juridik i manipuluar

Shumica e atyre që thanë Po nuk patën turp që ta justifikonin vendimin e tyre me pakënaqësinë për qeverinë. Sikur nuk e patën kuptuar që nuk bëhet fjalë për cilësinë e qeverisë, por për legjitimitetin e saj.

Sepse Brazili është një demokraci presidenciale. Kreu i shtetit zgjidhet nga populli, ai nuk varet – ndryshe nga kryetari i qeverisë në parlamentarizëm – nga qëndrimi dashamirës i Parlamentit. Prandaj përfaqësuesit e popullit mund ta largojnë nga posti një President të vendit vetëm për shkak të veprave penale të dëshmuara. Por Roussefit deri tani nuk i është dëshmuar asgjë.

Pjesa më e madhe e brazilianëve vërtet që është për shkarkimin e Roussefit. Atyre u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni dhe kriza ekonomike. Dhe për to ata bëjnë përgjegjëse qeverinë, vendimet e gabuara të saj dhe paaftësinë e saj politike. Por po kaq e kuptueshme sa është dëshira për një politikë më të mirë financiare – ajo nuk mund dhe nuk duhet ta shfuqizojë shtetin juridik.

Ai që kërkon shkarkimin e Roussefit, për t’i dhënë fund korrupsionit, duhet të mbajë parasysh se edhe shumë prej trashëgimtarëve të saj politikë i kanë emrat në listat e përndjekjes të hetuesve të korrupsionit. Përballë këtij konstelacioni, në popull po bëhet gjithnjë e më e fortë thirrja për zgjedhje të reja. Ato do të ishin shansi i fundit për ta nxjerrë Brazilin nga rruga pa krye, në të cilën e ka futur vendin e gjithë klasa politike.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button