Betejë Devolli/ Rama Trumpin apo Trumpi Ramën

Kryeministri ynë ka një aftësi intriguese në pushtimin e faqeve mediatike. Herë është pozicioni i tij prej kryeministri e herë është natyra e tij karizmatike që e bejnë të jetë në qendër të vëmendjes kur te dojë dhe sa të dojë ai.

Ai është një person ndryshe dhe gjithmonë e nxjerr në pah diversitetin e tij, qoftë me veshjen, retorikën apo propozimet e tij.  Gjatë emsionit Zululand të Mustafa Nanos ai deklaroi se një President si Donald Trump do ishte një turp madje rrezik për Amerikën dhe një kërcënim për status quo-në. Të njëjtin konstatim mbajti edhe për CNN gjatë vizitës historike në ShBA.

Menjeherë mbas deklaratës, feedback-ët ishin të shumta, shumë opinionistë kritikonin deklaratën e Ramës dhe e quanin si të nxituar e naive, disa të tjerë e mbështesnin “guximin” e Ramës dhe pretendonin se e vërteta duhet thënë sido qoftë dhe pa kurrfarë ngurrimi.

çka u bë u bë, a ja vlejti a jo, a quhet e pamenduar  a quhet e guximshme, a quhet mediokritet a quhet trimëri askush se përcakton dot tani për tani. Pikat ku ky artikull është fokusuar nuk janë analizat kosto-përfitim të deklaratës por janë shtysat që e çuan Kryeministrin të bëjë atë deklaratë.

Eshtë normale të supozohet që konstatime të rangut të lartë qeverisës nuk janë mendime momentale që burojnë nga mendja por janë teza të mirëstudiuara.

Arsyeja e parë që Kryeministri bëri ate deklaratë në lidhje me D. Trump është miqësia solide midis ShBA-ve dhe Shqipërisë.

Marrëdhëniet bilaterale e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë. Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Woodraw Wilson vuri në konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, për 52 vjet asnjë diplomat shqiptar dhe amerikan nuk vuri këmbë, respektivisht në Shqipëri dhe në SHBA. Sistemi i Enver Hoxhës e shpalli Amerikën armikun numër një të popullit shqiptar dhe shtetin amerikan e cilësoi si xhandarin e botës. Tani ne nuk duam që të ndodhë nje divorc tjetër, pavarësisht që kësaj rradhe fillimi i prishjes ka ndërruar krah. Marrëdhëniet u rikthyen në 15 mars të vitit 1991 dhe Shqipërisë zakonisht nuk i intereson që të kthehet mbrapa në kohë, as për këtë gjë as për shumë gjëra të tjera. Tanimë, 94 vite mbas filllimit të bashkepunimit dypalësh (pavarësisht se asimetrik), Shqipëria është quajtur si populli më proamerikan në botë.

ShBA-të janë një ndihmë e paçmueshme për Shqipërinë e shqiptarët, ndihmë e cila është përkthyer me ndërhyrjen në Kosovë, në 99’ën, me marrëveshjet bilaterale ekonomike, me përkrahjen e pashterur, me pranimin e qindra-mijëra emigrantëve e shumë të tjera.

Duke ndjekur retorikën politike të Trump, në mënyrë eksplicite kupton se një fitore e tij do bënte që lidhjet e ShBA më jashtë të merrnin një dimension tjetër. Ai deklaroi që do tërhiqte trupat amerikane nga Japonia, Koreja e Jugut, Palestina dhe vende te tjera kyçe të paqes globale. Ky do ishte një kërcënim serioz i paqes duke patur parasysh situaten në Azi, rritja ekonomike e Kinës, Rusisë, kërcënimi verior i Koresë, etj. Duke ditur që Trumpi nuk do i mbështesë aleatët më të mëdhenj të Amerikës a supozohet të ndodhë e kundërta me “mikroaleatët” si Shqipëria apo Kosova?

Pra shqetësimi i Ramës, si kryeminister i Shqipërisë ka qenë ky kërcënim i marrëdhënieve dypalëshe.

Arsyeja e dytë që e shtyu Ramën të bënte deklaratën është se Trumpi nuk dëshiron të hapë një faqe të re vetëm në marrëdhëniet me jashtë, perkundrazi, parësorja për të  është ta ndryshojë sistemin aktual të brendshëm. Trump nuk është dakord me status quo-në e brendshme amerikane. Ai kundërshton shumë fenomene. Kundërshtia ndaj fenomenit ekonomik “outsourcing”, është një nga pikat ku Trump është fokusuar, pasi me të drejtë ai shpreh se kjo i lejon firmat e mëdha të zhvendosin bizneset e tyre në vendet në zhvillim për shkak të kostove të ulta të taksave dhe fuqisë puntore, dhe kështu kjo kontribuon në rritjen e papunësisë në ShBA. Kundërshtia ndaj pranimit të emigrantëve, veçanërisht atyre myslimanë është një pikë tjetër ku ai bazohet. Kundërshtia ndaj abortit, ku edhe pse ai nuk është shumë i qartë (njëherë është pro-jetës, njëherë pro-zgjedhjes) ai deklaroi se nevojiten disa forma ndëshkimi për femrat që kryejnë abort. Retorikës së Trump nuk i ka shpëtuar as taksimi i Wall Street-it. Kundërshtia tjetër e Trumpit e cila është shumë e rëndësishme lidhet me korporatat, establishmentin dhe shoqatave me ndikim të madh global. Me nje fitore të mundshme të Trump, shoqata të ndryshme me rrënjë amerikane dhe shtrirje globale do pësonin një tkurrje të madhe politike e financiare. Një nga këto shoqatat është dhe e famshmja Open Society, e udhehëqur nga filantropisti me famë botërore G. Soros. Duhet ditur se kjo shoqatë ka depërtuar në shumë vende të Evropës lindore me pretendimin për të krijuar shoqëri të reja demokratike, për të përforcuar sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut e shumë norma të tjera demokratike. Shqipëria nuk është imune ndaj këtij trendi, dhe Kryeministri Rama ka një marrëdhenie shumë produktive me ketë shoqatë, e cila ka shërbyer si katapultë gjatë ngritjes së tij politike.

Duke qenë se Trumpi është një rrezik për keto lloj shoqërish, Rama i detyruar moralisht (ose ndryshe) është dashur që të bëjë një reklamë negative për të mbrojtur aleatët e tij.

Arsyeja e tretë qe e shtyu Ramën ka të bëjë me natyrën e tij shpërthyese. Ai di se si ti bëjë imazh vetes, ai ka dëshiruar gjithmonë të tregojë se është një lider, filllimisht e tregoi në Tiranë si kryetar bashkie, më vonë e tregoi në Shqipëri si kryeminister, më pas në Beograd, si lider i Shqiptarisë, më pas në Samitet konsekutivë të BE-së, si lider i Ballkanit dhe së fundmi në Shtëpinë e Bardhë, simbolikisht si një “lider mbi lider”, ose ndoshta një “lider modern”. Nëqoftëse Rama do kishte folur aty për marrëdhëniet ShBA-Shqipëri nuk do ishin të shumtë ata qe do i kushtonin ndopak rëndësi. Aq më pak do ishin të interesuar për pikturat e tij. Por me deklaratën e tij bombastike, ai arriti një “jackpot” të madh politik. Ai arriti të kapte titujt kryesorë të gazetave dhe televizioneve më në zë të Amerikës. Po, ai ia doli!

Veçse ka një problem, nëqoftëse kandidati republikan arrin të marrë delegatët e mjaftueshëm, shpallet kandidat i republikanëve, i bashkon republikanët dhe mposht Hillarin apo Sandersin, atëhere barra nuk do ngelet mbi Ramën por mbi Shqipërinë. Askush nuk tha në ShBA se Edi Rama deklaroi këtë gjë për Trump. Aty u tha se Kryeministri shqiptar bëri këtë deklaratë ndaj Trump. Ramën nuk e njeh kush aty, por Shqipërinë po. Problemi qëndron në faktin se Rama nuk shkoi aty si piktor, basketbollist apo politikan, por shkoi si qeveritar, dhe si i tillë nuk perfaqëson vetveten por shtetin. Përgjegjësia e qeveritarit paguhet nga shteti.

Nëqoftesë Trump fiton, atëhere ai do ketë një arsye personale (perveçse gjeopolitike) që të mos e mbështesë Shqipërinë.

Një gjë është e qartë, shqetësimi ndaj Trump është i të gjithëve por zgjidhjet e sugjeruara janë të ndryshme. Nuk nevojitet vetëm qëllimi i mirë por edhe metoda e përshtatshme të arrish këtë qëllim. Askush, përfshirë Ramën nuk e posedon fuqinë të dalë në duel me Trumpin.

Së fundmi, si shprehi të mediokritetit qe arrin absurdin, duket se  kjo “luftë” e Ramës ndaj Trump ngjason me historinë e devollinjve që për shkak se dielli i verbonte sytë vendosën ta vrisnin atë. Dhe do ja dilnin më me sukses nëse do vendosnin një kapele në kokë, por ata u treguan guximtarë e kokëfortë dhe kështu morën pushkët dhe nisën breshërinë ndaj diellit. Nuk ja dolën dot. Dielli ishte shumë lart….dhe ishte shumë i madh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button