Falje perandorake

Vendimi i përgjithshëm i Presidentit Ivanov me të cilin ai fal 57 persona me 41 vendime të veçanta të sjellura në një ditë, të shpallura në një kumtesë skajshmërisht konfuze dhe jurdikisht të papërpunuar drejtuar qytetarëve paraqet një akt skandaloz në aspektin juridik fillimisht për shkak të veprimit kundërkushtetues dhe kundërligjor të shefit të shtetit për të cilën gjë eksiston përgjegjësi juridiko-penale për vepra konkrete penale (neni 353 dhe 369 i Kodit Penal të RM). Skandali juridik i vendimit të tillë, ose më mire thënë, vendimeve të tilla duket në një sërë problemesh material dhe formale lidhur me institutin e faljes dhe mënyrën si ai institut paraqitet në këto 41 vendime.

Së pari, Kryetari në mënyrë të pafalshme i ka ngatërruar institutet amnisti, falje dhe abolicion. Në kumtesën e tij për publikun ai thotë mes tjerash që ka sjellur “amnisti për person ndaj të cilit është sjellur tani më aktgjykim i plotëfuqishëm”, ka sjellur “vendim me të cilin bëhet ndërprereje e përgjithshme e të gjitha procedurave mes politikanëve dhe bashkëpunëtorëve ose përkrahësve të tyre nga palët kundërshtare”, etj. Pa dyshim që bëhet fjalë për një vendim të përgjithshëm me të cilin ngatërrohen kuptimet për amnisti dhe falje. Si duket ka kaluar shumë kohë prej kur Kryetari Ivanov e ka dhënë provimin nga e drejta penale dhe ka harruar që amnistija është akt i përgjishëm të cilin e sjell Parlamenti i RM në formë të ligjit, ndërsa falja jepet në mënyrë të veçantë për vepra konkrete penale dhe sipas procedures së caktuar me Ligin për falje. Ky dallim nuk kontestohet as nga Gjykata kushtetuese e cila në vendimin e saj famoz për anulimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit për falje në pikën 5 të arsyetimit thekson: “Falja lidhet me individualizimin e kryersve të veprave penale, e jo me numërimin e përgjithshëm të veprave penale që eliminohen nga falja, sepse përgjithësia është element i amnistisë dhe jo edhe i faljes”. Nuk e diskutoj në këtë rast përcaktimin e veprave penale për të cilat jepen ose jo institute të tilla sepse më herët kam shprehur qëndrim lidhur me këtë, por dua të theksoj që për Gjykatën kushtetuese, as në momentin më të keq të saj, një gjë nuk është e kontestueshme dhe kjo është që amnistija është akt i përgjithshëm ndërsa falja akt i veçantë. Kryetari në një farë mënyre është munduar ta mbulojë atë element të veçantisë duke sjellur 41 vendime të veçanta, por megjithatë, vetë procedura e sjelljes së tyre si dhe arsyetimi politik që jepet tregojnë qartë që de facto bëhet fjalë për amnisti.

Së dyti, të gjitha vendimet e shpallura në Gazetën zyrtare thirren në të njejtën bazë juridike: neni 84 paragrafi 1 alineja 9 e Kushtetutës së RM, nenet 1 dhe 11 të Ligjit për falje nga viti 1993 në lidhje me nenin 114 paragrafin 1 të KPRM. Duke marrë parasyshë që në të gjitha rastet bëhet fjalë për Vendime për falje – lirim nga ndjekja penale (abolicion) pa procedurë paraprake, shumë e qartë është që neni 11 është baza juridike kryesore në të cilën mbësthtetet secili nga vendimet e dhëna. Para se të sqaroj pse ky nen është nul apo i pavlefshëm dhe si pasojë e kësaj edhe vendimet për falje janë të pavlefshme, dua ta tërheq vëmendjen tek situata ku Presidenti me këto vendime e shkel vetë nenin e ligjit ku ai thirret, edhe pse ai nuk ka as të drejtën të thirret tek ai nen. Neni 11 i cili ekzistonte më herët në Ligjin për falje të vitit 1993 thotë kështu: “Presidenti i Republikës me përjashtim mund të jape falje edhe pa zhvillimin e procedurës për falje të përcaktuar me këtë ligj kur kjo gjë është në interes të Republikës, ose kur rrethana të veçanta të cilat lidhen me personin dhe me veprën penale tregojnë që kjo gjë është e arsyeshme”. Thuhet “me përjashtim”! Falja e 57 personave në të njëjtën ditë duke u thirrur në këtë nen si dhe qartësimi se në mënyrë të njejtë do të veprohet edhe në rastet e ardhshme nuk duket shumë si përjashtim. Më shumë duket si vendosje e një rregulle të re me të cilën shpallet imunitet për kriminalitet të caktuar dhe për persona me karakteristika të caktuara; imunitet për kriminalitetin e jakave të bardha, imunitet për politikanët të cilët kapen në flagrance gjatë kryerjes së veprave të rënda penale! Të mos merrem tani me “interesat shtetërore” të një veprimi të tillë, ose me rrethanat e veçanta që do të kishin arsyetuar gjëra që në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohen.

E treta, jorstësisht ishte pikërisht neni 11 nga të gjithë nenet e Ligjit për falje të vitit 1993 ai që u fshi në tërësi me Ligjin për ndryshim dhe plotësim të ligjit për falje të vitit 2009 (nenet tjera vetëm u ndryshuan ose u plotësuan). Mundësia e një arbitrariteti kaq të lartë e vendos Presidentin mbi pushtetin gjyqësor dhe krijon situatë ku nuk ka asnjë lloj mekanizmi kontrollues me të cilin shefit të shtetit do t’i pamundësohej keqpërdorimi i të drejtës së faljes. Në vendimin e Gjykatës kushtetuese për anulimin e LNP të ligjit për falje shumica e gjyqtarëve të cilët votuan pro vendimit, në asnjë pjesë të asyetimit të këtij vendimi nuk ndalen në analizën e nenit 11. Ky nen përmendet në Mendimin e ndarë të katër gjyqtarëve të cilët nuk e nënshkruan atë vendim të turpshëm. Megjithatë edhe nënshkruesit e Mendimit të ndarë janë në lajthim se neni 11 kthehet në fuqi. Profesori Shkariq në qëndrimet e tija sqaroi në aspekt teorik që kjo nuk është kështu, që Gjykata kushtetuese nuk mund të ringjallë norma të anuluara më herët me ndryshime të ligjit. Koincidencë interesante është fakti që Gjykata kushtetuese në një vendim tjetër të sjellur jo para shumë kohe e vërteton pikërisht këtë që e thotë konsitucionalisti i njohur. Në vendimin me numër 97/2011-0-0 të datës 29.02.2012, Gjykata kushtetuese e RM e hedh poshtë iniciativën për ngritje të procedurës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së nenit 6 paragrafit 1 dhe nenit 10 paragrafit 1 të Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë. Në arsyetimin e Gjykatës thuhet:

“Nga përmbajtja e dispozitave të kontestuara […] rezulton që ato nuk janë norma që përcaktojnë raporte, por norma që konstatojnë përfundim të vlefshmërisë së pjesëve të dispozitave të cilat në të kaluarën kanë qenë në përmbajtjen e normave me të cilat ka qenë e regulluar një e drejtë konkrete në mënyrë konkrete dhe të rregulluar me ligj, prandaj sipas Gjykatës, ato norma nuk janë të përshtatshme për analizë gjyqësore. Në rastin konkret, me iniciativën e ngritur në fakt kërkohet nga Gjykata ti anulojë dispozitat e kontestuara të Ligjit për ndryshim dhe plotësim dhe ti risjellë në fuqi dispozitat që kanë vlejtur më parë…të cilat kanë qenë pjesë e dispozitave kontestuese dhe janë fshirë. Duke pasur parasyshë që në pajtim me nenin 110 të Kushtetutës, Gjykata kushtetuese nuk është kompetente të kryejë funksion ligjdhënës dhe të sjellë norma, duke i risjellur në fuqi dispozitat të cilat tani më nuk janë në qarkullim juridik, e as që ka kompetenca procedurale të vendosë rreth iniciativës, pra ta vlerësojë bazën kushtetuese të dispozitave të fshira dhe në anën tjetër bazën kushtetuese të dispozitave me të cilat ato janë fshirë nga Ligji, e as arsyeshmërinë e këtyrë zgjidhjeve ligjore, Gjykata vlerëson që në rastin konkret janë plotësuar kushtet nga neni 28 alinetë 1 dhe 3 të Rregullores së Gjykatës kushtetuese për hedhjen poshtë të iniciativës.”
Kjo tregon qartë që vetë Gjyktata kushtetuese me vendim të saj ka konstatuar se nuk është kompetente të risjellë në fuqi dispozita të cilat më nuk janë pjesë e rregullimit juridik. Kur jemi te Ligji për falje kemi situatë identike, ku anulohet Ligji për ndryshim dhe plotësim por pa u sqaruar që dispozitat e ndryshuara ose të fshira të ligjit të ndryshuar me ligjin që anulohet nuk mund të kthehen në fuqi. Me vendimin e vitit 2012 vetë Gjykata kushtetuese vërteton se baza kryesore juridike e 41 vendimeve të Presidentit për falje është faktikisht nule apo e pavlefshme, që do të thotë se edhe vetë vendimet për falje janë të pavlefshme. Ajo që duhet të ndodhë është që Gjykata kushtetuese sipas detyrës zyrtare të konstatojë këtë pavlefshmëri, gjë që vështirë se do e shohim në realitetin ku jetojmë.
Së katri, Vendimet e Presidentit për falje-abolicion pa realizim të procedurës kanë më tepër mungesa formale. Si që u sqarua më lartë, baza juridike nuk ekziston, gjegjësisht, sjellja e vendimeve të tilla pa zhvillim të procedures (pa procedurë të inicuar nga Ministri i drejtësisë) është juridikisht e pamundur. Absurdi i madh është që një veprim i tillë, juridikisht i pamundur, në realitet tani më ka ndodhur dhe i njëjti prodhon pasoja juridike (persona të caktuar u liruan nga vuajtja e dënimit ose nga paraburgimi). Më tej, vendimi për falje duhet të thirret në vepër penale saktësisht të caktuar (me numër të saktë të ndjekjes së të njëjtës), gjë që nuk është respektuar në këto vendime ku nuk ka asnjë informatë për cilat vepra penale jepen këto falje. Ashtu siç ka konstatuar edhe Gjykata kushtetuese, falja është institut i individualizimit, prandaj është shumë e rëndesishme që e njejta të jepet individualisht. Vendimet e Presdientit paraqesin grupe më të vogla faljesh për të cilat nuk jepet asnjë arsyetim i bazës së faljes së personave të caktuar e as nuk sqarohen shkaqet e marjes së një vendimi të tillë. Përgjegjësia penale është individuale dhe subjektive, prandaj Presidenti është i obliguar të sqarojë për cilat arsye personit saktësisht të përcaktuar i jep falje si dhe të përcaktojë me çka dallohet ai nga personat tjerë që nuk janë falur. Një arsyetim i tillë nuk është dhënë në asnjërin nga vendimet. Ndoshta Presidenti gjendet në lajthim juridik jo vetëm me atë që mendon se ka të drejtë të falë pa procedurë, por edhe me atë që mendon se këtë mund ta bëjë pa dhënë arsyetim, gjë që është tërësisht e pasaktë. Vendimi për falje domosdoshmërisht duhet të ketë arsyetim, aq më tepër nëse ka bazë juridike që një vendim i tillë të sillet pa procedure paraprake (e përsëris edhe një herë, një bazë e tille juridike nuk ekziston), përndryshe kjo do të paraqiste një akt të arbitraritetit të plotë të shefit të shtetit, në vend që i njëjti të jetë një instrument i drejtësisë.
Kjo mënyrë e veprimit të Presidentit dëshmon pikërisht për një arbitraritet të tillë karakteristik për monarkitë absolute të kohës së skllavopronarisë dhe feudalizmit. Në një realitet të tillë mbetet vetëm një mënyrë e përfundimit të atij arbitrariteti, e kjo është sjellja e një kodi sipas shembullit të Kodit Penal Francez të vitit 1791 i cili nuk parashihte as amnisti e as falje e ku më abolicion, me qëllim që të zbatohet deri në fund parimi themelor i ligjshmërisë. Por për të arritur deri tek një realitet i tillë, duhet që paraprakisht të na ndodhë viti 1789!

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button