Shembet tribuna në Indi, mbi 100 të plagosur
Duhej të ishte një ndeshje normale futbolli, por është kthyer në tragjedi pa filluar ende loja.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një stadium në Bekal të Indisë, pak minuta para ndeshjes mes Saban Kottakkal dhe Mohammadans Mouval, ku një tribunë e përbërë nga pllaka druri dhe mbajtëse metalike, është rrëzuar plotësisht brenda 2 sekondash bashkë me 1500 tifozët e ulur që prisnin fillimin e takimit.
Dyshimet e para bien mbi strukturën delikate të tribunës, duke marrë parasysh edhe faktin se më parë kishte patur reshje shiu dhe pllakat e drurit mund të jenë dobësuar për të mbajtur një peshë mbi normalen e lejuar.
Mbi 100 tifozë u plagosën, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkohë që policia po heton duke drejtuar gishtin te klubi lokal, si përgjegjës për mungesën e sigurisë së stadiumit. Ngjarja në Bekal nuk është e para e këtij viti. Një muaj më parë, 2 persona humbën jetën nga rrëzimi i një vinçi në një prej stadiumeve të Botërorit 2014, “Arena Corinthians” në Sao Paulo.