Anim, burime ‘anonime’, lavdërata e poezi – si nuk duhet të duket një lajm

[Recension: “Përçarje në BDI-Tetovë: Pse Festim Halili dhe jo Liridona Vejseli zv/kryeministër?!”]

Ndonëse nuk duhet marrë si fakt i kryer, por t’i rrekesh punës për të bërë një shkrim gazetaresk vetëm e vetëm për të lartësuar njërën palë dhe për të denigruar palën tjetër, është një veprim për të cilin sugjerimi i bazuar në parimet profesionale të gazetarisë për bërjen e përmbajtjeve të tilla do të ishte “mendo dy herë, mos shkruaj asnjëherë”.

Recension: “Përçarje në BDI-Tetovë: Pse Festim Halili dhe jo Liridona Vejseli zv/kryeministër?!”Linku për te artikulli origjinal: Përçarje në BDI-Tetovë: Pse Festim Halili dhe jo Liridona Vejseli zv/kryeministër?!

Data dhe koha e publikimit: 08.04.2016

Data e recensionit: 09.04.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Është thënë e stërthënë që shfrytëzimi i burimeve anonime gjatë shkrimit të lajmeve është i lejueshëm, në ato raste kur publikimi i identitetit të tyre mund të paraqesë ndonjë kërcënim për burimin, apo në ato raste kur burimi kërkon që të ngelet anonim. Përndryshe, mënyra më e mirë për të pasuruar lajmin është citimi i burimeve me emër dhe mbiemër. Kjo e “shpëton” gazetarin nga sulmet e ndryshme që mund t’i vijnë nga kritikët e medias, por edhe nga vetë publiku, i cili më tepër preferon t’i sqarohet se cili person e ka thënë një gjë të caktuar, se sa të luash “misteriozin” dhe “të nëndheshmin” duke përdorur thënien e ‘zakonshme’ – “sipas burimeve tona anonime”, apo në rastin konkret, fjalia e dytë të fillohet me frazën “burime brendapartiake anonime nga BDI…”

Kodi Etik i gazetarëve e shpjegon shumë mirë qasjen në situata të tilla:

“Locimi i gabuar i burimeve ose shpikja e burimeve për të prezentuar informacione të pasakta, të gjymta dhe jo sa duhet të provuara, trajtohet si shkelje e rëndë e standardeve profesionale.”

Pyetjen që e shtron përmbajtja, ku njëherit është edhe titulli kryesor, “Pse u emërua zëvendëskryeministër Festim Halili e jo Liridona Vejseli”, është një pyetje e cila buron nga vetë gazetari, pa asnjë indicie paraprake. Kjo më tepër i ngjan një pyetjeje nismëtare kërkimore, që ndoshta mund të jetë shumë e mirë për analizë. Në lajme, s’ke ç’e do. Aq më tepër kur s’ke ku e bazon të njëjtën. Nuk vajti shumë kohë dhe brenda të njëjtës dite, lidhur me përçarjen e mundshme në BDI, u shpreh e apostrofuara në këtë tekst Liridona Vjeseli e cila tha: “Në degën e Tetovës nuk ka kurrëfarë përçarje! Nuk kisha asnjë pretendim. Kolegët e mi profesor, i urova nga zemra për pozitat! Në BDI jam sepse i besoj vizionit të liderit Ali Ahmeti dhe jo per funksion!”

Elementi tjetër që të bën t’i rikthehesh literaturës bazike, gjegjësisht librave mbi shkrimin dhe raportimin e lajmeve për studentët e gazetarisë në vit të parë, është pikërisht përdorimi i epiteteve apo cilësimeve për persona të caktuar. Ja disa nga ato që mund të hasen në këtë tekst: “vajza intelektuale me prejardhje nga Shipkovica heroike”, “njëra ndër kuadrot më të mira që ka pasur katedra e gazetarisë ndonjëherë”, “simpatikja e BDI-së”, “kapacitete të larta për lidership”, “figura e ndritshme e ardhmërisë së BDI-së”, e kështu me radhë. Për më tepër që këto epitete krijohen nga vetë autori i lajmit, pa i thënë ndonjë burim relevant në këtë përmbajtje ose më parë, pra, bëhet fjalë për thurjen e ‘vargjeve poetike’ plot lavdërata në një lajm, gjë që është e ndaluar në mënyrë kategorike sipas rregullave të profesionit. Nuk përjashtohet mundësia që shkruesi i lajmeve të ketë një lloj preference për aktorët e përfshirë në lajm, mirëpo kjo s’duhet të reflektojë në tekstin e njëjtë. Po e njëjta vlen edhe për qësëndisjet përmes lavdëratave të stërtheksuara që përdoren për të bërë shaka me dikë, që e vënë në kontekst të politikës redaktuese kritike të kësaj medie ndaj subjektit politik të apostrofuar, po ashtu nuk çkyçet si mundësi për të shpjeguar gjërat e shkruara në këtë tekst. Mirëpo, ne, sipas rregullave tona, nuk do të hyjmë fare në analizë të motiveve, as të redaksisë, as të autorit. Për fatin tonë të mirë, për përmbajtje të tilla në gazetari parshihet një zgjidhje. Nëse autori gjendet përballë një inspirimi të tillë, qoftë për të mirë ose për të keq, mund të shkruajë një koment apo një opinion, ose ndonjë kozeri dhe satirë për këtë. Ashtu siç për shembull në tetor të vitit të kaluar, u publikua thuajse në të gjitha mediat shqiptare artikulli i Rudina Xhungës që thurte elozhe për Ermira Mehmetin me titull “Ermira nga Shkupi”. Dhe ky artikull, duke pasur parasysh rubrikën ku ishte i vendosur, ishte korrekt. Nuk është mëkat të lavdërosh dikë, apo të shfaqësh nuanca simpatie për një person, ose edhe kritika subjektive, qësëndisje apo humor, s’ka asgjë të keqe, por kjo duhet bërë diku jashtë teksteve të lajmeve.

Ja dhe rregulli tjetër nga Kodi Etik i gazetarëve që na vjen në ndihmë:

“Gazetarët kanë të drejtë për të pasur mendimin, qëndrimin dhe vlerësimin e tij, por nuk guxojnë që mendimet e tij t’i kamuflojnë sikur të jenë fakte.”

Nëpërmjet evitimit të këtyre lëshimeve, në radhë të parë, ne gazetarët përmirësojmë veten dhe arrijmë të kemi një lloj reputacioni përballë publikut, i cili është shumë më i zgjuar se sa vlerësohet ndonjëherë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button