Partia që ndan PDK-në, n’mot

Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj nuk pritet ta shpallin partinë e re sivjet. Orientimisht këtë gjë, sipas burimeve të afërta me ta, do ta bëjnë kah fundi i janarit apo fillimi i shkurtit.

“Aktualisht, Krasniqi e Limaj janë duke zhvilluar biseda me qytetarë të fushave të ndryshme, të cilët po shprehin interesim për t’iu bashkuar në formacionin e tyre politik”, ka thënë një zyrtar i PDK-së, që vazhdon t’i ruajë kontaktet me pjesën e të pakënaqurve të partisë. Ai nuk e ka mohuar që në mesin e mbështetësve të idesë për themelim të partisë, ka edhe deputetë të Grupit parlamentar të PDK-së, ndonëse nuk i ka përmendur emrat e tyre.

“Esenca është se ka deputetë. Se cilët janë ata, do të dihen në kohë”, ka thënë ai. I njëjti e ka përjashtuar mundësinë që Krasniqi e Limaj të heqin dorë nga projekti i nisur, megjithëse për të parin ka folur me garanci të plotë. “Thaçi e di se Krasniqi nuk kthehet më në PDK, prandaj atij as nuk i çon njerëz për pajtim. Krejt shpresat i ka te Limaj”, ka thënë burimi i gazetës.

Kreu i Kuvendit nuk ka parapëlqyer të japë shpjegime rreth zhvillimeve të fundit, me arsyetimin se pozicionin e tij e ka qartësuar tash e sa muaj. “Besoj se unë kam qenë i qartë në ato që i kam thënë deri tani. Nuk kthehem në PDK”, ka thënë ai. Faktikisht, Krasniqi ka refuzuar pozitën në Kryesi të PDK-së, të cilën, në mungesë të tij, ia kanë besuar bashkëpartiakut e deritashëm, në Kongresin e fundit zgjedhor./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button