RTS për Kosharen: Beteja e ferrit për forcat serbe (Video)

Para 17 vjetësh, forcat e UÇK-së arritën ta thyenin kufirin shqiptaro-shqiptar dhe ta merrnin nën kontroll nga forcat serbe kazermën në Koshare.
Beteja e Koshares njihet si beteja më e lavdishme e forcave tona çlirimtare, pasi aty u thye edhe ushtria e atëhershme jugosllave.

Televizioni publik serb, RTS, i ka kushtuar një raport të gjatë kësaj beteje, derisa në një video të publikuar kohë me parë dhe të realizuar nga ish-gazetari famëkeq serb, Millovan Drecun, sot deputet i Kuvendit të Serbisë, Beteja e Kosharës përshkruhet si “Beteja e Ferrit” për forcat serbe, transmeton Indeksonline.

Sigurisht, në këtë video-reportazh, RTS-i dhe Drecunin tentojnë që ta minimizojnë fuqinë e UÇK-së, duke thënë se në betejën e 9 dhe 10 prillit të vitit 1999 përveç forcave tona, ndihmuan edhe NATO dhe Ushtria e Shqipërisë.

Megjithatë, ajo që nuk mund të mohohet është fakti që pranohet edhe nga RTS edhe nga Drecuni se UÇK-ja ishte e përgatitur shumë mirë dhe se aty mbetën të vrarë 164 pjesëtarë të forcave serbe, në mesin e tyre 14 oficerë dhe 10 nënoficerë.

Dëshmorë nga ana e UÇK-së patën rënë rreth 200 ushtarë, mirëpo jo të gjithë nga forcat serbe, pasi që NATO-ja nga ajri kishte sulmuar karakollin e Kosharës gabimisht, duke mos e ditur se tashmë ishte në duart e luftëtarëve shqiptarë.

“Në atë moment në front kishte dicka më shumë se 100 pjesëtarë të njësive kufitare të Ushtrisë Jugosllave. Për shkak të sulmeve të ashpra nga ajro, por edhe nga diversionet e UÇK-së, ndihma e madhe nuk mundi të vinte menjëherë”, raporton RTS.

Sipas këtij televizioni, pas rënies së karakollit, kishin ardhur përfocime të mëdha të ushtrisë jugosllave nga njësitë e këmbësorisë dhe ato speciale. “Kështu, vija e frontit u stabilizua më 19 prill dhe më nuk kishte lëvizje të mëdha deri në fund të luftës”, transmeton Indeksonline.

Sipas RTS-it, në kulmin e luftimeve Ushtria Jugosllave i kishte rreth 1200 ushtarë, kurse UÇK-ja “bashkë me vullnetarët dhe njësitet shqiptare pesë deri në gjashtë pjesëtarë”.

“Forcat e UÇK-së luftonin me ndërrime, derisa për ushtarët jugosllav nuk kishte pushim”, shkruan tutje RTS.

“Gjatë luftimeve të përgjakshme në Koshare kishte edhe skena bizare, të cilat vështirë të besoheshin. Ka ndodhur se njerëzit nga të dyja vijat e frontit për shkak të mjegullës së dendur t’i ndërrojnë shpesh edhe istikamet, por që askush mos ta vërej”, shkruan tutje televizioni publik serb.

Në këtë artikull, RTS-i e pranon se në mesin e forcave serbe kishte edhe mercenarë. “Përvec rusëve – kozakëve nga njësitë parashutiste, në radhët e vullnetarëve kanë qenë njerëz edhe nga vendet tjera të Evropës. Mbi 30 pjesëtarë ishin nga Ukraina, Finlanda, Suedia, Danimarka, Holanda, etj”. /Indeksonline

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button