‘Krasiten’ rrogat në Komunën e Tetovës, akuza për revanshizëm politik

Të punësuarit në Komunën e Tetovës nuk dëshirojnë të flasin publikisht për vendimin e kësaj komune t’ua ul rrogën e tyre deri në 20 për qind, i cili pritet të hyjë në fuqi pas Vitit të ri. 

Edhe pse ende nuk është bërë publik vendimi i në fjalë, Komuna ka vendosur të bëjë një plan të ri buxhetor ku do të shkurtohen rrogat e të punësuarve.

Të revoltuar dhe të brengosur, të punësuarit për Portalb’ shprehen se është paraparë të ulen pagat e atyre që ishin të punësuar nga koha kur kryetar në këtë komunë ishte Sadi Bexheti. Ata akuzojnë Komunën se nga njëra anë bën shkurtime ndërsa nga ana tjetër punëson kuadro të reja në vendet udhëheqëse. 

“Është një hakmarrje politike” thonë ata duke theksuar se në këtë mënyrë  kryetarja e re bën presion që punëtorët të largohen vet nga puna dhe të bëhet një “spastrim i kuadrit të PDSH”. 

Nga ana tjetër për Portalb, komuna konfirmon se do të ketë shkurtime duke përdorur termin “revizionin e kontratave të dëmshme ekonomike për komunën”.  Nga kjo komunë arsyetohen se udhëheqja e re e komunës së Tetovës ka trashëguar borxh në vlerë prej 8 milion euro dhe duhet ta kthejnë borxhin.

“Poashtu ne kemi trashëguar edhe një fenomen mbi-punësimi në administratën e komunës, gjë që rëndon dukshëm funksionimin normal të institucionit dhe dhënien e shërbimeve që ajo ua ofron qytetarëve. Për tu kthyer ky borxh dhe për të arritur një gjendje stabile financiare, komuna e Tetovës ka reviduar  planin e furnizimeve publike, ka bërë revizionin e kontratave të dëmshme ekonomike për komunën dhe është në proces të përpilimit të buxhetit të komunës për vitin 2014 duke punuar në drejtim të zvogëlimit të shpenzimeve të komunës. Masat që do të ndërmerren për tu arritur stabiliteti financiar dhe funksionimi i institucionit komunë janë në shqyrtim e sipër ndërsa për secilin vendim që do ta marrim, opinion do të jetë I njoftuar” shkruhet në kumtesën e kësaj komune.

Nga sektori për marrëdhënie me opinionin publik të kësaj komune nuk kanë pranuar pyetje shtesë edhe pse Portalb ka insistuar në një sqarim më në detaje.

Punëtorët e revoltuar gjithashtu thonë zyrat e shefave të rinj janë komplet të rinovuara ndërsa ato të të punësuarve në gjendje katastrofale. Kjo shihet dhe nga fotoja më poshtë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button