Seks skandalet në zgjedhjet presidenciale

Publiku amerikan nuk ka dilema nëse aferat e politikanit janë çështje private apo duhet t’i dijë publiku. Përpara se të hedhë votën e tij, votuesi amerikan kërkon të dijë çdo gjë që definon karakterin e politikanit që kërkon besimin e tij

Ndaj aferave seksuale që shpesh godasin në pjesët tjera të shoqërisë nuk është imune as politika amerikane. Të shumta janë rastet e aferave të zbuluara në nivele të ndryshme të pushtetit amerikan, por këto nuk kanë munguar as gjatë zgjedhjeve presidenciale. Pothuajse nuk ka vit zgjedhor kur nuk shpërthen ndonjë aferë e tillë, megjithëse shpesh kanë dalur të pavërteta.

Sidoqoftë aferat menjëherë bëhen temë qendrore dhe subjekt akuzash e kundërakuzash. Në këtë drejtim, ndryshe nga vendet tjera, publiku amerikan nuk ka dilemë nëse çështja është punë private e politikanit në fjalë apo duhet të jetë temë e diskursit publik. Këtu mbizotëron principi se profili moral i bartësit të funksionit publik është tejet i rëndësishëm, prandaj publiku duhet të dijë gjithçka që plotëson këtë profil, që të mund pastaj të marrë vendimin e duhur në zgjedhje. Mu për këtë aferat seksuale shpesh kanë përfunduar karrierat e politikanëve të ndryshëm, pa bërë kurrë fjalë nëse është e drejtë apo jo që afera të trajtohet në publik.

Në këtë drejtim nuk ka bërë përjashtim as cikli i sivjetëm zgjedhor. Në qendët të vëmendjes ka qenë përplasja mes Kruzit dhe Trampit rreth grave të tyre, ndërsa një çështje latente gjatë gjithë kohës mbetet historia e bujshme avantureske e Bill Klintonit.

2016-Tramp. Tramp ka qenë i martuar tre herë dhe në ndërkohë, sipas vetë fjalëve të tij, ka patur një numër të dashurash. Mirëpo në këtë kampanjë po paraqitet si njeri familjar, i përkushtuar ndaj tre fëmijëve të mëdhenj dhe djalit të vogël që ka me gruan e tanishme. Por pikërisht gruaja e tanishme, modelja Melania Tramp, është bërë temë diskutimi në zgjedhje. Një grup asnjanës, por anti-Tramp, ka përhapur reklama në shtetin konzervativ Juta me një pozë nudo të Melania Tramp me mbishkrimin “Zonja juaj e parë”. Pasi Juta është shtet me shumicë mormone, fe e njohur me rigorozitetin e saj moral, fotografia nudo mund t’a ketë dëmtuar rëndë Trampin i cili këtu përfundoi i treti në zgjedhje.

2016-Kruz. Akti ka ngjallur menjëherë kundërreagim nga Trampi, i cili akuzoi Kruzin. Megjithëse Kruz demantoi se qëndron pas reklamës, ky i fundit postoi foto të shëmtuara të gruas së Kruzit. Në ndërkohë revista “National Enquirer”, e afërt me Trampin, ka publikuar një hulumtim që pretendonte se Kruz ka patur afera jashtëmartesore me pesë gra të tjera. Kruz dhe gratë në fjalë (njëra prej tyre punon për Trampin) kanë demantuar menjëherë akuzat. Sikur të ishte e vërtetë afera padyshim do të dëmtonte Kruzin, që ka mbështetjen e bazës më konzervative dhe të orientuar në familje. Por si duket Kruz ka dalë më i fuqishëm nga kjo përballje, duke refuzuar të ulet në nivelin e Trampit dhe mbështetësve të tij.

2012-Gingriç. Në vitin 2012 u riaktualizuar një aferë e vjetër e kandidatit Gingriç. Në vitet e 90-ta Gingriç kishte patur aferë të fshehtë duke qenë i martuar me gruan e tij të dytë. Madje thuhej se Gingriç kishte dashur të legalizonte aferën duke i propozuar bashkëshortes së atëhershme që të kenë “martesë të hapur”. Këtë e vërtetoi edhe ish-bashkëshortja.

Nuk është e qartë nëse Gingriç humbi zgjedhjet për shkak të kësaj afere, apo ngase vërtetë nuk mund të matej me Romnin. Por është e sigurtë se Gingriç është njëri nga politikanët më inteligjentë amerikanë të tridhjetë viteve të fundit. Karakteri i tij dobët moral, i prirur për dredhi dhe tradhëti të shpeshta, ka qenë pengesa kryesore që ai të ngjitet në majat më të larta të historisë moderne amerikane.

2012-Kejn. Biznismeni Herman Kejn një kohë udhëhiqte garën republikane në vitin 2012. Atëherë nisën të paraqiten disa gra që pretendonin se kishin patur afera jashtëmartesore me të vite më parë. Kejn fillimisht tentoi të demantonte aferat, por me kohë u pa se në to kishte shumëçka të vërtetë. Rejtingu i tij ra me shpejtësi marramendëse dhe me këtë përfundoi karriera e tij e shkurtër politike. Duhet të ceket se asnjëra nga këto afera nuk kishin ndodhur në 2012; të gjitha ishin histori të vjetra. Pikërisht kjo tregon sa i pafalshëm mund të jetë publiku amerikan kur bëhet fjalë për tradhëti bashkëshortore, e pastaj tentime për t’i fshehur ato.

2008-Eduards. Senatori Xhon Eduards ishte njëri ndër yjet e partisë demokrate në fillim të shekullit dhe kandidati demokrat për nënkryetar në vitin 2004. Ai u kandidua për president në vitin 2008. Por në këtë kohë doli në shesh afera jashtëmartesore që ai kishte patur me një punëtore të kampanjës së tij. Afera kishte rezultuar edhe me një fëmijë të jashtëligjshëm. Sidoqoftë afera doli në shesh, ndërsa Eduards u padit në gjyq ngase ekzistonin dyshime se mund të kishte përdorur fonde të kampanjës për të mbuluar aferën. Ai dha dorëheqje nga posti i senatorit dhe me këtë përfundoi karriera politike e njërit prej politikanëve më premtues të së majtës.

2000-Mekkejn. Disa ditë para votimeve në Karolinën e Jugut në vitin 2000, kur në garë te republikanët ishin Bush dhe Mekejn, filluan të qarkullojnë thashetheme se Mekejn kishte patur aferë jashtëmartesore me një grua zezake, me të cilën kishte edhe një fëmijë të jashtëligjshëm. Afera shpejtë morri përmasa të mëdha dhe u bë temë e fushatës. Me kohë doli se ajo kishte qenë fabrikim, por kjo pasi i kishte shkaktuar Mekejnit humbje në Karolinë dhe ndoshta edhe nominimin. Doli se thashethemja ishte bazuar te fakti që Mekejn vërtetë kishte një vazjë me ngjyrë, por kjo ishte bija e tij e adoptuar nga Bangladeshi.

1992-Bill Klinton. Përveç  aferë së njohur me stazhisten Levinski, është e ditur se Klinton ka patur një sërë aferash tjera jashtëmartesore si guvernator i Arkansasit. Tani kur në garë është bashkëshortja e tij, aferat lehtë mund të riaktualizohen. Kjo sidomos mund të ndodhë nëse kundërkandidat i saj republikan do të jetë Tramp. Pasi Klinton shpesh ka akuzuar Trampin si misogjen, ky është kërcënuar se do të rihapë aferat e vjetra të burrit të saj dhe rolin që Hillari paska patur në tentimin për t’i heshtur ato.

E drejta për të ditur. Kufiri mes jetës private të politikanit dhe rolit publik që kryen ai/ajo përherë ka qenë i turbullt. Por në SHBA të paktën kjo nuk është ndonjë dilemë e madhe. Populli amerikan zakonisht kërkon karakter të fortë moral nga përfaqësuesit e tij dhe në këtë drejtim kërkon që me çdo kusht të ketë sa më tepër informata që definojnë këtë karakter. Mu për këtë, nëse plas ndonjë aferë si këto më lartë, në SHBA nuk diskutohet fare nëse këto janë punë që duhet t’i dijë publiku apo që duhet të ngelin në sferën private të politikanit. Me automatizëm pra supozohet se publiku ka të drejtën për të ditur, e më pas vetë të vendosë si të veprojë me këto informata. Në disa raste, si ai i Klintonit ose aferave të Xhon Kenedit, votuesit kanë ditur të falin, por me çdo kusht kanë deshur të dijnë karakterin e kandidatit përpara se të hedhin votën e tyre.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button