Opozita kërkon debat për ndotjen, pastaj për projektbuxhetin

Opozita, ka kërkuar që në seancën e sotme parlamentare, të diskutohet për ndotjen e ajrit në qytetin e Shkupit.
 
Propozimi është pranuar nga partitë e shumicës, por ajo ka zënë vendin e 79-të në rendin e ditës. 

Kjo ka sjellë reagimin e opozitës maqedonase, e cila ka kundërshtuar këtë rend dite dhe ka insistuar që pika për ajrin e ndotur të vihet në diskutim para pikës për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. 

Kërkesa e LSDM-së u arsyetua nga deputeti socialdemokrat, Jani Makraduli, i cili kritikoi Qeverinë se nuk e ka në prioritet shëndetin e qytetarëve. 

“Mbrojtja e mjedisit jetësor është e fundit në prioritetet e kësaj Qeverie. Madje, edhe në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm akordohen më shumë mjete për ndërtimin e objekteve sesa për mbrojtjen e mjedisit”, ka deklaruar Makraduli. 

Duke folur për shkaqet e ndotjes, deputeti ka thënë se shtrenjtimi i ngrohjes qendrore dhe i rrymës ka bërë që qytetarët të zgjedhin ngrohjen me dru.

“Kësisoj, Shkupi u bë i vetmi qytet në Evropë banorët e të cilit ngrohen ende me dru”, ka deklaruar Makraduli.

Lajme të ngjashme

Back to top button