LDK: Shpend Ahmeti si zëdhënës i Daçiqit, e ka mbushur Komunën me banditë

Lidhja Demokratike e Kosovës, me anë të një komunikate për media ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, pasi ky i fundit kishte shkruar një status në Facebook për ndikimin e politikës serbe në Kosovë dhe mos reagimin e kryeministrit Mustafa.

LDK e ka quajtur Ahmetin të dështuar, që po e udhëheq Komunën e Prishtinës në mënyrë kriminale dhe që citon Daçiqin si të ishte daktilogramf.

“Kryetari i dështuar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, paska marrë prapë përsipër që të merret me çështje madhore, pasi që punët në kryeqytet i ka bërë fet.

Pasi ka neveritur qytetarët e kryeqytetit me keqmenaxhimin gati kriminal të Komunës, duke e shndërruar objektin e Komunën së Prishtinës në një kazermë banditësh që përgatisin molotovë për të djegur institucionet e shtetit, shtëpitë dhe makinat private të zyrtarëve të shtetit, Shpend Ahmeti, tash po përpiqet të bëjë analiza më të gjera politike.

Në një status në Facebook, Ahmeti se ka dert të luajë rolin e zëdhënësit të Daqiqit duke e cituar fije për pe, me korrektësi prej daktilografi, se çfarë ai paska thënë një natë më parë.

Shpend Ahmeti dhe padronët e tij, komisarë të VV-së, të cilët burim të vetëm të informimit për Kosovën e kanë Daçiqin, Vuçiqin dhe të tjerët në Beograd, është mirë të fillojë të mbyll ndonjë kanalizim në Emshir, të shtrojë ndonjë rrugë në Mat, të zvogëloj radhët 6 orëshe për një certifikatë në Komunë, të rregullojë trafikun,” thuhet në reagimin e LDK-së, njofton Klan Kosova.

Më tej LDK ka thënë  se Shpend Ahmeti dhë shokët e tij ultra-majtistë nuk besojnë në vlerat që është ndërtuar Kosova dhe as në sakrificën e bërë.

“Ndërsa në pyetjen e tij se “si arritëm deri këtu?” i bëjmë me dije Ahmetit me shokë, se Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të Kombeve të Bashkuara, është rezultat i sakrificave të jashtëzakonshme të popullit të Kosovës, i rezistencës paqësore të qytetarëve dhe elitës intelektuale, i luftës së lavdishme çlirimtare dhe përkrahjes së SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike perëndimore. “

“E dimë që Shpend Ahmeti dhe shokët e tij ultra-majtistë nuk besojnë dhe po i luftojnë këto vlera dhe të arritura, por populli i Kosovës, duke përfshirë qytetarët e Prishtinës, nuk do të jetë kurrë peng i skenarëve dhe “alternativave të domosdoshme” të tyre,” thuhet në komunikatë të LDK-së, njofton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button