Mustafa: Rezultate konkrete në fuqizimin e sigurisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u njoftua nga ministri Skender Hyseni për punën dhe rezultatet e MPB-së dhe të Policisë së Kosovës.

Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, vizitoi edhe Qendrën Operative të Policisë së Kosovës, për të parë nga afër punën e kësaj qendre.

“Mund të them se të gjitha raportet e brendshme dhe raportet ndërkombëtare konfirmojnë rezultate shumë pozitive dhe sukseset evidente të arritura të organeve të rendit në Kosovë, si gjatë vitit 2015, po ashtu edhe në fillim të këtij viti. Ka një bashkëpunim shumë të mirë të Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës me institucionet tjera që merren me çështje të sigurisë në Kosovë si me Agjencionin Kosovar të Inteligjencës, Prokurorinë e Shtetit, me të gjitha gjykatat, dhe po ashtu ekziston një bashkëpunim shumë i mirë edhe me vendet në rajon dhe me vendet e tjera, gjë që ka mundësuar që kjo ministri dhe policia, jo vetëm që ta bëjnë punën e vet të suksesshme brenda, por të ndihmojnë edhe në stabilitetin, paqen dhe sigurinë në regjion, por edhe në sigurinë në Evropë dhe më gjerë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa përmendi rezultatet konkrete të arritura në fusha të ndryshme nga MPB-ja.

“Jemi i vetmi vend në këtë pjesë të rajonit që po zbaton Ligjin që ndalon bashkimin e njerëzve tanë në konfliktet e jashtme. Jemi vend i cili kemi Strategjinë kundër terrorizmit dhe kundër radikalizmit i cili qon në terrorizëm dhe ekstremizmit të ndryshëm. Janë marrë masa të rëndësishme në sundimin e ligjit dhe të forcimit të shtetit të drejtës. Masa shumë të rëndësishme kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike, luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore”, tha kryeministri, duke përmendur po ashtu përmirësimet në fushën e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike në Kosovë.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se rezultate të rëndësishme janë arritur edhe në agjendën evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button