Bombë prefektit, një ditë para shembjes së pallatit “Jon”

Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, i ka shpëtuar një atentati me bombë të telekomanduar, një ditë para shembjes së kompleksit “Jon”. Me të njëjtin fat ka qenë edhe Ergys Hoxha, personi që kishte vendosur të ndante dje kafenë e mëngjesit me prefektin. Meqë vendi në të cilin do të uleshin dy miqtë të pinin kafe ishte përcaktuar te “Kullat Binjake” dhe aty nuk kanë mundur të sigurojnë vend për makinën, janë drejtuar për ta lënë mjetin në parkingun e Kryeministrisë.

Devijimi i tyre drejt selisë së qeverisë duhet ta ketë shtyrë në kohë planin e atentatorit që duhet të ekzekutonte shpërthimin. Fati vijon të jetë me ta. Dy gardistët e vendosur në hyrje të Kryeministrisë, nga krahu i Piramidës, nuk e kanë lejuar mjetin të kalojë pa u kontrolluar me anë të pasqyrave të posaçme. Lehtësisht, poshtë mjetit, në anën e shoferit, te shasia është dalluar një send shtesë i ngjitur. Menjëherë janë urdhëruar të zbresin nga makina Besnik Dervishi dhe Ergys Hoxha. Një version që mbetet të sqarohet nga ekspertët e xhenios, është se mekanizmi i bombës mund të mos jetë vënë në punë për shkak të ndonjë defekti, transmeton shekulli.

Mjeti është lënë aty i palëvizur, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbërritur thuajse të gjithë krerët e sigurisë. I menjëhershëm ka qenë evakuimi i punonjësve të Kryeministrisë dhe kontrolli i godinës jashtë dhe brenda ambienteve.

Ndërsa ekspertët kanë nisur punën për shpërthimin e kontrolluar të lëndës plasëse. Me anë të një roboti forcat antieksploziv bënë një shpërthim dy metra larg automjetit, i cili do të aktivizonte edhe c4 në automjetin tip ‘Peugeot” me targa te Tiranes 5066 N, nëse ky eksploziv do të ishte aktiv.

Pas shpërthimit të kontrolluar të policisë, i cili nuk aktivizoi c4, forcat xheniere bën të mundur edhe heqjen e sasisë së eksplozivit nga makina, si edhe çaktivizoi detonatorët. Gjithçka është realizuar përpikmërisht, ndërkohë poshtë makinës oficerët e anti-terrorit kanë fiksuar edhe detajet konkrete: Në mjet ishte vendosur një sasi lënde eksplozivi C4, me dy fitila detonatorë si dhe një aparat celular. Është konstatuar se brenda aparatit telefonik ishte ak- tivizuar një kartë e një prej kompanive celulare më të mëdha në vend. Këto dy prova janë edhe thelbi i hetimit të ngjarjes së rëndë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button