Refugjatët në Idomeni ndjehen të harruar nga Evropa

Në fshatin Idomeni, i cili ndodhet në vendkalimin kufitar greko-maqedonas rreth 12 mijë refugjatë vazhdojnë të presin në kushte të mjerueshme për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt vendeve të Evropës. Ata në shenjë proteste që nga dita e hënë mbajnë të bllokuar hekurudhën ndërkombëtare që lidh Maqedoninë dhe Greqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ditës së sotme protesta ishte më masive, duke tubuar tenda, ulëse, persona me aftësi të kufizuar, si dhe fëmijë të sëmurë në hekurudhën ndërkombëtare. Refugjatët ndjehen të harruar nga Evropa, sepse siç thonë ata Evropa i ka mbyllur sytë dhe nuk interesohet për refugjatët.

Ahmedi nga Iraku tha se me këtë protestë kanë për synim që t’i tregojnë botës vështirësitë me të cilat përballen refugjatët në Idomeni. Ai shtoi se ka ardhur koha, edhe pse është tepër vonë, që bota të ndërmarrë masa konkrete dhe të zgjidh çështjen e refugjatëve.

“Jemi të vendosur që mos të ndërprejmë protestën deri sa të hapen kufijtë. Do të vazhdojmë të presim në këtë vend dhe në këto kushte të vështira. Policia greke thotë se do të na dërgojë në kampe të tjera, por asnjëri nga ne nuk dëshiron të shkojë në ato kampe. Duam të shkojmë vetëm në Evropë”, tha Ahmedi.

Nga ana tjetër, siriani Isa duke theksuar se poashtu edhe refugjatët dënojnë çdo lloj terrori, shtoi se me këtë protestë synojnë që t’i bindin autoritetet kompetente se nuk tërhiqen nga Idomeni deri sa të hapen kufijtë për të vazhduar udhëtimin e tyre të shpresës.

“Evropa na harroi neve. Ata nuk mendojnë për ne, e as nuk interesohen për ne. Brukseli është Evropa dhe për këtë shkak kur aty ndodh ndonjë shpërthim tërë bota mundohet të bëjë diçka për ta. Këto raste në Siri ndodhin çdo ditë, atje çdo ditë vdesin njerëz. A e sheh këtë Evropa?”, u shpreh Isa.

Refugjatët me bllokimin e hekurudhës ndërkombëtare dhe me transparente të ndryshme në dorë, kërkojnë që Evropa të tregojë pak humanitet dhe të ndihmojë refugjatët që të arrijnë në Evropë, e jo t’i injorojë ata dhe t’i kthejë prapa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button