KSHZ e zvogëlon numrin e votuesve kontestues për kontroll në terren

Komisioni Shtetëror Zgjedhor, dje vendosi që për 11.053 persona ta zvogëlojë numrin e votuesve kontestues, ndaj të cilëve do të bëhet kontroll në terren. Pas seancës së djeshme, KSHZ njoftoi se 89.383 të dhëna (emra, mbiemra dhe adresa) do t’u nënshtrohen kontrollin në terren, edhe pse paraprakisht është lajmëruar se do të bëhet kontrolli për 100.436 të dhëna/votues kontestues, njofton Portalb.

Zvogëlimi i numrit, ashtu siç njoftojnë nga KSHZ, është për shkak se kontrolli plotësues ka treguar se një person paraqitet disa herë në baza të ndryshme. Deri te numri final ka ardhur pas pastrimit detal. Megjithatë, në mënyrë administrative do të kontrollohen edhe 107.660 votues.

Komisioni ka deklaruar se qytetarët kanë paraqitur 6.795 raste për parregullsi në Listën Zgjedhore. Këto paraqitje, do t’i ndërmarrin ekspertët të cilët duhet t’i vërtetojnë se a paraqiten të njëjtat edhe në të dhënat nga kontrolli i kryqëzuar i të dhënave. Pas kontrollit detal, do të caktohet se cilat prej të dhënave të paraqitura do të kontrollohen në terren e cilat në mënyrë administrative.

Ende po vazhdojnë përgatitjet për kontrollin në terren, ndërkaq ashtu siç njoftojnë nga KSHZ, kontrolli duhet të fillojë nga fundi i javës.

Mbikëqyrjen e këtij procesit do të mund ta bëjnë përfaqësuesit e katër partive më të mëdha në vend.

ID kartela identifikuese e anketuesve të KSHZ-së
ID kartela identifikuese e anketuesve të KSHZ-së

Ashtu siç sqarojnë nga KSHZ, të vetmit që do të mund t’u përgjigjen pyetjeve të  anketuesve do të jenë personat, që të dhënat e tyre janë lëndë e hetimit. Në rast se gjatë vizitës së parë anketuesi nuk e gjen personin e kërkuar, anketuesi duhet të kthehet edhe një herë. Nëse përsëri nuk e gjen, atëherë do të duhet që t’i lihet njoftim te ndonjë i afërt apo fqinj që personi i kërkuar në afat prej 3 ditësh të paraqitet në KSHZ, transmeton Portalb.

Nëse në ndonjë rast, gjenden votues të regjistruar në ndonjë objekt publik ose jo-ekzistues, atëherë anketuesi duhet ta konstatojë në pyetësor.

Anketuesit do të duhet që para qytetarëve të paraqiten  duke e treguar ID kartelën identifikuese dhe letërnjoftimin e tyre.

KSHZ, pritet që t’i publikojë pyetësorin dhe listën me votuesit kontestues në ueb-faqen zyrtare të internetit, përcjellë Portalb.

Ashtu siç njoftojnë nga KSHZ, deri më tani nuk janë të paraparë dënime për qytetarët, ndërkaq fshirja e votuesve do të kryhet në ndonjë fazë të ardhshme.

KSHZ njoftoi se do të realizojë fushatë mediatike “Dyer të hapura”, dhe i ka thirrur qytetarët që të marrin pjesë në procesin e pastrimit të Listës Zgjedhore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button