Marrëveshja me qytetarët

Me vëmendje të veçantë përcolla ngjarjen e së dielës ku Bashkimi Demokratik për Integrim shpalosi para qytetarëve draft-programin e vet zgjedhor për mandatin 2016-2020, duke u bërë thirrje qytetarëve që të përcjellin deri te kjo parti propozimet, idetë dhe komentet e tyre, në mënyrë që së bashku të hartojnë një program ku do të inkorporoheshin të gjitha ato propozime që do të konsideroheshin të dobishme dhe të mundshme në aspekt të realizimit.

Gjatë gjithë kësaj kohe m’u kujtua dijetari gjerman Hederlin, i cili në kohën e tij thoshte që ne nuk jemi asgjë, por kërkesat tona janë gjithçka dhe mbi të gjitha. Ç’është e vërteta, mënyra e realizimit të kërkesave tona i japin kuptim dhe përmbajtje proceseve shoqërore dhe mbarë shoqërisë. Shoqëria nuk formohet dhe zhvillohet vetëm me realizimin e kërkesave individuale, por me realizimin e kërkesave të përgjithshme shoqërore me bazë juridike, morale dhe politike, të cilat padyshim që e ngrisin homogjenitetin dhe kohezionin shoqëror.

Duke marrë parasysh se në Maqedoni jemi para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, është e nevojshme kontrata e re shoqërore me qytetarët, në trajtën e platformës politike  e zhvilluar në frymën e filozofisë politike të Rusos. Shoqëria që do të konsolidohej përmes kësaj kontrate shoqërore do të duhet të krijoj kushte për mirëqenie ekonomike, politike, sociale dhe të sigurisë, bazuar në ligjin, të drejtën dhe barazinë njerëzore. Nga kontrata shoqërore e Zhan Zhak Rusos del teoria e sovranitetit popullor, e cila ne vete ngërthen pikëpamjen e mostjetërsimit të së drejtës së popullit që vet në mënyrë sovrane të vendos për fatin e vet. Duke u mbështetur në këtë qëndrim, konsideroj se të gjithë ne duhet të bëhemi hisedar në përpilimin e programit zgjedhor të kësaj partie, aq më tepër kur matjet e ndryshme të opinionit na tregojnë se e njëjta parti gëzon përkrahje më të madhe nga populli, dhe se rrjedhimisht si parti fituese ajo edhe do të na përfaqësoj në qeverisjen e vendit. Një qasje e këtillë konsideroj se të gjithëve na bën të përgjegjshëm për fatin e secilit prej neve.

Të dashur miq, legjitimiteti i pushtetit politik nuk duhet të mbështetet në forcë, siç e kemi te Hobsi, por në sovranitetin popullor apo në vullnetin e përgjithshëm, i cili duhet të jetë burim i lirisë, barazisë dhe ligjit.  Kjo kontrate e re me qytetarët e manifestuar në një platformë të një partie që përfaqëson organizimin më të madh politik ndër shqiptarët e Maqedonisë duhet të parasheh se udhëheqësit e popullit duhet të posedojnë dhe të demonstrojnë vlera të larta etiko-morale dhe njerëzore, dhe se çdoherë duhet të kenë parasysh se vullneti i përgjithshëm i popullit është ai që përcakton kahjen e zhvillimit te proceseve shoqërore. Sajimi i vullnetit unik politik, të përfaqësuar me institucionin e sovranit, është i ndërmjetësuar me marrëveshjen mes individëve për ta themeluar shtetin dhe shoqërinë. Në këtë drejtim, siç theksonte edhe Hobsi në veprën “Leviathan”, çdo individ do të duheshe t’i thoshte çdo individi tjetër “e autorizoj këtë njeri apo këtë kuvend njerëzish dhe ia jap të drejtën time që ta udhëheq veten time, me këtë kusht që edhe ti t’i japish të drejtën tënde dhe t’i autorizosh të gjitha aksionet e tij në të njëjtën mënyrë”.

Pra, pikërisht ideja e transformimit të vullneteve dhe raporteve të individëve në raporte specifike politike përmban tërë fshehtësinë e themelimit të institucioneve dhe të sferës politike. Me këtë marrëveshje shumësia e vullneteve të individëve që bashkohet brenda një elite të caktuar politike  përbën shoqërinë e organizuar në një shtet ku respektohet vullneti i demosit.

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe hartuesit e platformës zgjedhore të kësaj partie deri në përgatitjen e versionit final duhet t’i kenë parasysh edhe disa pikëpamje që jepen në veprën e Sharl Monteskiesë e titulluar  “Mbi frymën e ligjeve”. Është shumë e rëndësishme pikëpamja e Monteskiesë se ata që  hartojnë  ligje duhet ta njohin mirë frymën kolektive dhe mentalitetin e atij populli. Me këtë ai do të thotë që ligjet të mos jenë në kundërshtim me vullnetin e përgjithshëm të popullit, por në frymën e kërkesave dhe dëshirave të popullit.

Mirëpo, me vet faktin se po u bëhet thirrje qytetarëve që të hartojnë së bashku programin zgjedhor për periudhën 2016-2020,  jam optimist se kjo parti kërkesat e popullit shqiptar do t’i merr parasysh dhe se të njëjtat do të jenë pjesë programit të ardhshëm qeveritar. Tash neve si shoqëri na mbetet që të japim kontributin tonë për të përcaktuar kahjet e zhvillimit shtetëror dhe shoqëror. Ç’është e vërteta, esencën dhe përmbajtjen e zhvillimit shoqëror e përbëjnë proceset shoqërore. Këto procese nuk zhvillohen në aspektin individual dhe njëdimensional, por në aspektin grupor, ekipor dhe institucional. Të gjitha këto procese janë rezultat i mënyrës se si i realizojmë kërkesat tona. Andaj, konsideroj se është koha për t’i paraqitur kërkesat tona, idetë dhe propozimet tona, që më pas të kërkojmë edhe llogari për atë se çka është punuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button