“Ndikimi i politikës në drejtësi, pengon luftën kundër korrupsionit në Kosovë”

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), sot në Prishtinë, ka prezantuar raportin “Pandëshkueshmëria në Kosovë: Lufta Kundër Korrupsionit të Profilit të Lartë”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sipas këtij raporti, problemet më të mëdha janë paraqitur në rastet e korrupsionit ku është e përfshirë politika dhe për shkak të presionit që ka pasur nga politikanët e profilit të lartë, sistemi i drejtësisë kosovare është ballafaquar me sfida të shumta”, tha Ariana Qosaj-Mustafa nga KIPRED-i, gjatë prezantimit të raportit.

Ajo theksoi se për shkak të presioneve politike, drejtësia në Kosovë ka mbetur selektive dhe se një tjetër problem i madh është konfiskimi i pasurisë së arritur në mënyrë të paligjshme.

Kriteret e dyfishta të sistemit të drejtësisë apo selektivitetin, përfaqësuesja e KIPRED-it e ilustroi me rastet e fundit të protestave të opozitës, ku organet e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë ishin tejet të shpejta në reagimin e tyre për të sjell para gjyqit dhe shqiptuar dënimet për deputetët dhe aktivistët e opozitës, mirëpo e njëjta nuk është vërejtur kur bëhej fjalë për korrupsionin apo rastet tjera ku ishin të përfshirë politikanët në pozita të larta vendimmarrëse.

Ariana Qosaj-Mustafa shpjegoi se në raportin e vet, KIPRED-i këto raste problematike i ka quajtur si “raste ku drejtësia ka vepruar në mënyrë taktike” dhe ka vënë në pah qartazi ekzistimin e pandëshkueshmërisë, në raste ku ishin të përfshirë politikan apo persona në pozita të larta vendimmarrëse që, sipas KIPRED-it, me faktin se gjenden në ato pozita ata ia kanë garantuar vetes që të mos hetohen.

Me këtë, raporti vjen në përfundim se “në Kosovë nuk ka barazi para ligjit dhe se ka individë të cilët vazhdojnë të jenë mbi ligjin”.

Sipas KIPRED-it, mos ndëshkimi i korrupsionit të profilit të lartë do të ndikoj negativisht në funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe do të vazhdojë të krijojë përshtypjen në opinion se, sundimi i ligjit në Kosovë nuk vlen për të gjithë, por vetëm për disa.

Janë dy rekomandime kryesore që KIPRED-i propozoi për të zgjedhur këtë problem dhe për t’i dhënë fund kësaj dukurie negative.

E para, vet vendimmarrësit politik duhet të shprehin vullnet dhe të marrin vendime që hapin rrugë drejtë funksionimit normal të sistemit të drejtësisë, duke u mos përzier në rastet e hetimit dhe përndjekjes penale.

Rekomandimi i dytë ka të bëjë me përmirësimin e luftës kundër korrupsionit të profilit të lartë, për çka KIPRED iu rekomandon prokurorëve special të rrisin transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut, në rastet e përndjekjes penale të rasteve të korrupsionit të politikanëve dhe udhëheqësve institucional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button