Mbi 5000 pensionistë me nga dy numra amë!

Mbi 5000 pensionistë vazhdojnë të kenë nga dy numra amë, ndërsa nuk dihet nëse të njëjtit mund të kenë votuar ndonjëherë nga dy herë. Në këtë listë, të cilën akoma nuk e ka marrë Komisioni Shtetëror Zgjedhor, rreth 60 për qind e pensionistëve me nga dy numra amë janë maqedonas, derisa 40 përqindëshi shqiptarë.

Lista e siguruar nga gazeta KOHA tregon se, për shembull, Rodna Dimitrijeviç, vite më parë ka ndërruar numrin amë 23XXXXXXXXX38 dhe tani pensionin e merr me numrin amë 23 XXXXXXXXX14. Megjithatë, numri i parë amë nuk është fshirë nga lista e numrave amë, por i njëjti figuron si numër “amë pasiv” në emër të Rodnas. Ose, ka raste kur, për shembull, në listën me nga dy numra amë – aktiv dhe pasiv, por që MPB nuk e ka fshirë, është edhe Trajko Ristevski dhe Ristevski Trajko – i pari që merr pensionin e rregullt, ndërsa i dyti nuk duket asnjëherë në FPIM.

E njëjta situatë paraqitet edhe tek pensionistja Rabije Ajdari, të cilës numri aktiv amë i mbaron me 039, derisa numri i dytë i mbaron me 033. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme konfirmojnë se ka qytetarë, në mesin e të cilëve edhe pensionistë, që kanë ndërruar numrat amë, por se është e pamundur që numrat e vjetër të mos jenë fshirë, ose të mbeten aktivë sot e kësaj dite.

“Nuk kemi informacione të tilla. Ndërrim të numrave amë ka pasur, por nuk mundet që një person të ketë dy numra amë dhe të dyja të jenë aktivë. Ditëve në vazhdim do të konfirmojmë këtë që thoni ju dhe pastaj do të ketë sqarim për opinionin”, thonë në MPB për gazetën KOHA.

Megjithatë, listën që tashmë e ka siguruar gazeta KOHA, nuk e kanë as anëtarët në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, pasi siç thonë në këtë institucion, të njëjtit mund të jenë ngatërruar ose kanë dalë në kryqëzimin e të dhënave të MPB-së me 10 institucionet tjera.

“Ndoshta emrat që gjenden në listën tuaj mund të jenë në kryqëzimin e të dhënave të MPB-së, megjithëse të sigurt 100 për qind nuk jemi. Sidoqoftë, do të shqyrtohen të gjitha listat”, shprehen nga KSHZ për gazetën KOHA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button