Agolli: Shkrimtarët janë të shpërfillur tërësisht nga shteti

Promovimi i antologjisë me tregime shqiptare “Pena e vjeshtës së artë” me autor Vasil Premçin është shoqëruar me një apel të Dritëro Agollit drejtuar institucioneve më të larta të vendit.

Shkrimtarët kanë mbetur të shpërfillur nga shteti, ndaj institucionet e vendit duhet të mbështesin artin dhe krijimtarinë” është shprehur ndër të tjera shkrimtari i njohur përmes një letre përshëndetëse për hartimin e antologjisë.

Duket se prej vitesh shkrimtarët shqiptarë janë në udhëkryq, ndërsa letërsia e tyre ka mbijetuar.

Së fundi me iniciativën e shkrimtarit Vasil Premçit ka dalë në dritë një vëllim antologjik me tregime që titullohet “Pena e vjeshtës së artë”.

Në këtë antologji janë përmbledhur tregimet e 71 autorëve, midis të cilëve Ismail Kadare, Helena Kadare, Nasi Lera, Dritëro Agolli, Anton Papleka, Ardian Kyçyku, Fatos Kongoli, Arjan Leka, Leonard Veizi, Albert Zholi, etj.

Promovimi i kësaj antologjie u bë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në ambientet e sallës UNESCO.

Tashmë një traditë e re po futet mes shkrimtarëve shqiptarë, botimi antologjik i tregimit që deri dje ka munguar në treg.

Kjo antologji është si një thirrje ku duhet të dëgjohet dhe zëri i shkrimtarëve, poetëve dhe kritikëve shqiptarë, të cilët prej kohësh kanë mbetur si një komunitet i paorganizuar.

Por menjëherë pas tij drejtori i Muzeut Historik, Melsi Labi, i cili mori fjalën tha se dalja në qarkullim e antologjisë me tregime shqiptare është një risi.

Pas leximit të përshëndetjes së Dritëro Agollit, Melsi Labi i siguroi shkrimtarët se në ambientet e Muzeut duhet ta ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre.

Nuk mund të mos vë në dukje dhe një këndvështrim të natyrës historike; atë të përfshirjes në këtë përmbledhje me tregime lirike të zgjedhura shqiptare, në njëfarë mënyre edhe historinë e letërsisë shqipe, klasikët tanë, si Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Milto Sotir Gura, Dhimitër Shuteriqi, Migjenin e pavdekshëm, martirin Gjik Kuqali, Kadarenë e ndërkombëtarizuar dhe Dritëroin aq popullor”.

Në fjalën e tij shkrimtari Nasi Lera vlerësoi se tregimi është gjinia më e konsoliduar e letërsisë shqipe.

Sipas tij tregimi është një gjini e vështirë që nuk pranon as edhe një fjalë gabim, por në këtë kuadër tregimi shqiptar e ka përballuar me dinjitet për të qenë një vepër e arrirë.

Ndërsa shkrimtari Nasho Jorgaqi në fjalën e tij tha se, “Pena e vjeshtës së artë” u hap rrugën përmbledhjeve të tjera antologjike.

Kjo vepër ka një prirje edhe për të zgjuar interesin dhe vëmendjen e kritikës. Gjatë promovimit folën edhe shkrimtarët Zija Çela, Kiço Blushi e Pandeli Koçi, shkruan Shqiptarja.com.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button