Zgjidhja për Maqedoninë është te shqiptarët

Jetojmë në një vend ku mungon progresi dhe bashkëpunimi. Një shtet i cili, shkaku i vështirësive me të cilat është hasur në 25 vitet e ekzistencës së vet duket sikur është duke mbijetuar artificialisht. Duket sikur fundi i tij është afër me gjithë banalitetin që është krijuar në skenën politike dhe sociale. Kush mund të më fajësojë që mendoj në fundin e këtij shteti, në një kohë kur jeta në të ka humbur kuptimin?! Me një korrupsion të stërlartë në të gjitha nivelet, me politikanë të deklasuar dhe të cilëve askush nuk ju beson më; në një shtet ku as sistemit gjyqësor nuk i beson më askush, jo vetëm shqiptarët që e kanë vuajtur kriminalitetin gjyqësor në lëkurën e tyre dekada me rradhë. Një shtet ku e drejta e lirisë së shprehjes është gati e abroguar. Mjafton të analizohet pse nuk protestohet më shumë që të arrihet në konkludimin se kjo formë e shprehjes së revoltit dhe pakënaqësisë nuk vlerësohet aq sa duhet, sepse njerëzit kanë humbur kuptimin dhe qëllimin se pse duhet të protestojnë kur apriori e dijnë që zëri i tyre nuk do të dëgjohet.

Dhe në këtë rast për fajin nuk mund të thuhet që është jetim. Ai ka emër dhe mbiemër. Emri i tij është klasa politike në këtë vend, ndërsa mbiemri jemi ne populli që e kemi zgjedhur atë klasë politike dhe që nuk po e shohim të arsyeshme të krijojmë produkte të reja politike që do të rifreskonin skenën me një frymë të re, që do të punonte në ndërtimin e urrave të bashkëpunimit mes dy etnive kryesore në këtë shtet si prelud të krijimit të një progresi të vërtetë në të gjitha format dhe modalitetet, duke nisur nga ai ekonomik, social, kulturor. Pasuria jonë më e madhe është diversiteti dhe ne nuk jemi të gatshëm ta vëndojmë këtë motor në lëvizje. Sikur druhemi që do të humbim, ndërkaq që potenciali zhvillimor që do të vinte nga kjo formë e re e zhvillimit të shtetit nuk njeh kufi.

Edhe këtë frikë nuk e kanë shqiptarët. Përkundrazi ne e vuajmë këtë frikë. Jetojmë në një shtet me një etnikum tjetër i cili na sheh si të tepërt, ose më mirë si një barrë mbi shpinë. Sikur duhet të mendojnë edhe për ne, për të drejtat tona. Sikur qenka e tepërt ambicja jonë për të qenë të barabartë në këtë shtet. Më duket jomorale që të duhet të kërkojmë barabarësi dhe mosdiskriminim. Që duhet të luftojmë për marrëveshje politike me të cilat do të na garantohen këto apo ato të drejta. Akoma më e e pakuptimtë, më e e palogjikshme është që shqiptarëve t’ju maten të drejtat bazuar në përqindje dhe numra. Nuk mundeni një popull të tërë ta nënvlerësoni me numra. Nuk mundeni shpirtin ta kuantifikoni. Dhe në fund të bëni analiza dhe matje sa nga këto marrëveshje politike janë të realizuara në praksë. Barazia që ne e kërkojmë është dicka natyrore dhe që në princip dhe në praktikë duhet të jetë larg përllogaritjeve dhe pazarllëqeve politike mes një partie maqedonase dhe një partie shqiptare, cilatdoqofshin ato. Barazia që duhet t’ju mundësohet shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës është parakusht për tejkalimin e krizës së përhershme të këtij vendi. Ajo nuk duhet të jetë predikament, por zgjidhje.

Ajo që duhet të bëjnë politikanët dhe mediat, si shtyllat e opinionit publik, aty ku duhet t’i investojnë pjesën më të madhe të resurseve të tyre, është të edukojnë atë pjesë skeptike të popullit, gjegjësisht të elektoratit që zgjidhja e cështjes shqiptare në vend është rruga e vetme për krijimin e një inercioni pozitiv i cili si rrjedhojë do të ketë etablimin e një shteti stabil dhe me mirëqenie të lartë ekonomike dhe sociale e me këtë edhe zhdukjen e farës së keqe nga ky shtet. Ajo në të cilën duhet punuar që sot e tutje është krijimi i një klime stabiliteti ndëretnik dhe mënjanimit të defekteve strukturore dhe juridike që vështirësojnë një gjë të tillë. Vlerësimi dhe respekti reciprok mes shqiptarëve dhe maqedonëve bazuar në aftësi dhe kualitet, e jo në përkatësi nacionale apo fetare është shtylla mbi të cilën duhet të ndërtohet një Maqedoni e re.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button