Milani ne krizë, Galliani drejt lamtumirës

Te Milani situata pas barazimit me Genoan dhe protestave të tifozëve rëndohet akoma më shumë. Seria negative e rezultateve duket se po shtyn Adriano Gallianin të largohet nga posti i administratorit të deleguar përpara fundit të sezonit.

Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane, “La Gazzetta Dello Sport”, drejtuesi po mendon të lërë detyrën e tij që në muajin Prill. Galliani po mendon të shfrytëzojë mbledhjen e aksionarëve të klubit gjatë kësaj periudhe për të bërë të ditur vendimin, pasi tashmë është e qartë që mes tij dhe Barbara Berlusconit nuk ka më mirëkuptim dhe ai vetë e ka të pamundur që të bashkëpunojë me vajzën e presidentit.

Gjithsesi, administratori aktual nuk ka ndërmend të lërë detyrën pa marrë dhe përfituar dhe financiarisht nga kontrata, nga e cila nuk ka ndërmend të heqë dorë. Por problemet te kuqezinjtë nuk shfaqen vetëm në rangjet drejtuese por dhe me futbollistët. Sikur të mos mjaftonin akuzat e tifozëve për përkushtim të munguar në fushë, Mario Balotelli me disa lojtarë të tjerë janë paraqitur me vonesë në stërvitje.

Sulmuesi ka mbërritur në qendrën stërvitore në orën 10:40 nga 10:30 që ishte lënë starti i seancës, ndërsa i fundit që i është bashkuar grupit, ka qënë Robinho që u paraqit në fushë vetëm në orën 11:08.

Ndërkohë që për ndeshjen me Celtic, Allegri nuk do të ketë të gatshëm Mexes që mungoi dhe ndaj Genoas, për shkak të një problemi në sy dhe gjithashtu dhe Muntarin që u dëmtua në takimin e fundjavës.

Lajme të ngjashme

Back to top button