KSHZ e miratoi udhëzimin për verifikimin e Listës Zgjedhore në terren

Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në seancën e djeshme e kanë miratuar udhëzimin për verifikimin e Listës Zgjedhore në terren. Anëtarët e komisionit në seancë, i kanë refuzuar dy propozimet e Igor Milevit nga LSDM dhe Bedredin Ibraimit nga PDSH, njofton Portalb.

Milev ka propozuar që verifikimi i Listës Zgjedhore në terren të bëhet edhe pas paraqitjeve të qytetarëve, pasi KSHZ do t’i rishikojë, ndërkaq Ibraimi e ka pranuar propozimin e tij, por me kusht që qytetarët patjetër të dorëzojnë edhe dokumentacion i cili do të shërbejë si dëshmi.

Nga KSHZ kanë informuar se deri më tani, nga të gjitha paraqitjet që kanë arritur në KSHZ në lidhje me parregullsitë në Listën Zgjedhore, shërbimi i KSHZ-së ka punuar mbi 683 ankesa.

Ata lajmërojnë gjithashtu se nga java e ardhshme, KSHZ do të del me rezultatet e para të verifikimit të kryqëzuar.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) do të formojë grup pune në nivel shtetëror dhe tetë në nivel lokal të cilët në bazë ditore do t’u përgjigjen kërkesave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, lidhur me çështjet e lidhura me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 5 qershor.

Këtë e kumtoi kryeministri i angazhuar për zbatim të zgjedhjeve Emill Dimitriev, pas takimit të sotëm me anëtarët e KSHZ-së. Në takim morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov, zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme Zemri Qamili, zëvendësministrja e Drejtësisë Biljana Brishkovska Boshkovski, si dhe një përfaqësues nga Drejtoria për evidentimin e regjistrave të amzës.

“Konkluduam se të gjithë resorët, posaçërisht MPB-ja për shkak se do të jetë më shumë e angazhuar për verifikimin e Listës zgjedhore të formojë një grup pune në nivel shtetëror dhe tetë në nivel lokal. Këto tre grupe do t’i formojnë ministri dhe zëvendësministri plotësues të cilët në bazë ditore do t’u përgjigjen të gjithë kërkesave nga KSHZ-ja. E njejta gjë vlen edhe për institucionet e tjera, prej të cilave do të ketë nevojë KSHZ-ja për të dhëna të caktuara. Nga ajo që dëgjova unë jam optimist se do të arrihen të gjitha veprimet në afatet e parapara dhe do të kenë zgjedhje korrekte dhe kredibile më 5 qershor”, tha Dimitriev pas takimit.

Kryeministri për zbatim të zgjedhjeve nga ana e KSHZ-së është informuar se pritet që kryqëzimi i të dhënave të përfundojë këtë uikend dhe se nga java e ardhshme duhet të fillojë verifikimi terrenik i të dhënave.

“Është kërkuar nga Qeveria që të ndihmojë në përgjigjen në kohë të të gjithë kërkesave nga KSHZ-ja. Të gjitha spekulimet rreth Listës zgjedhore, mund të them se janë artificialisht të plasuara për shkak se nga ajo që e dëgjova nga KSHZ-ja e gjithë kjo nga aspekti i denoncimeve të qytetarëve është lehtë e verifikueshme, afatet janë përafërsisht të shkurtëra dhe se gjithë ajo që është si dilemë në opinion, KSHZ-ja dhe institucionet e sistemit do ta kontrollojnë në afate të shkurtëra dhe kjo dilemë do të pastrohet”, tha ai.

Sipas Dimitrievit, për momentin nuk mund të thuhet se sa ditë do të zgjasë verifikimi terrenik i të dhënave.

“Nuk mund të themi tani për momentin afat preciz për aktivitetin terrenik për shkak se duhet t’i presim raportet nga kryqëzimi i të dhënave. Nga ky aktivitet do të shohim se sa është numri i njerëzve që duhet të verifikohen në terren dhe atëherë do të kemi pasqyrim më real se sa do të zgjasë aktiviteti terrenik”, tha ai. Por, siç potencoi, sado që të jetë numri ne jemi mirë të organizuar nga aspekti logjistik dhe nga aspekti i njerëzve të cilët do të punojnë në përgatitjen terrenike.
“Nga ana e Entit Shtetëror për Statistikë janë lënë në dispozicion njerëz të cilët kanë punuar në problematika të ngjashme, regjistrim, anketues. Unë jam optimist se edhe verifikimi terrenik do të përfundojë në një afat optimal”, tha Dimitriev.

Këtë uikend, siç tha ai, do të përfundojë mundësia për verifikimin e të dhënave të qytetarëve përmes aplikacionit i cili është vendosur në faqen e KSHZ-së dhe pastaj do të kuptohet numri i saktë i qytetarëve të cilët kanë dërguar fletëparaqitje.

Nga ana e KSHZ-së Dimitriev, siç tha, ka qenë i informuar se Komisioni ka kapacitet që shumë shpejt të reagojë ndaj fletëparaqitjeve nga qytetarët dhe t’i pastrojë dilemat që u përkasin Listës zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button