Arvizu: Mos harroni se kush ka qenë krah jush 100 vitet e fundit

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar se mungesa e informacionit i dha shkas shumë spekulimeve në lidhje me armët kimike, informacion i cili sipas ambasadorit, ishte shumë i pasaktë në shumicën e rasteve dhe ishte një faktor kontribuues që ndikoi në refuzimin e armëve kimike të Sirisë.

Ambasadori amerikan i ka dërguar një mesazh të fortë klasës politike shqiptare kur thotë: “Mos harroni se kush ka qenë krah jush 100 vitet e fundit”.

Këto deklarata, ambasadori Arvizu i ka dhënën në një intervistë për të përjavshmen “JAVA”, ku foli edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

“Shqipëria po ndryshon, ajo do të hyjë në Evropë e do të ketë tensione sporadike edhe me SHBA-në. Duhet të mësohemi me këtë realitet të ri”, -deklaron Arvizu.

Ambasadori i SHBA-ve nuk ka lënë pa analizuar edhe javët e tij të fundit të qëndrimit në Shqipëri, ku iu desh të drejtonte negociatat me qeverinë shqiptare për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, të cilën e cilëson si fat, si një lojë me letra ku të bien në duar disa letra të caktuar dhe duhet të luash sa më mirë me to.

“Në javët e fundit të qëndrimit, kisha shpresuar një lamtumirë të qetë dhe një largim të hijshëm. Por, ja që doli kjo çështja. Ishte përparësia numër një për qeverinë e SHBA. U angazhuam me kryeministrin dhe qeverinë e tij. Ata shprehën vullnetin për t’u përpjekur të ndihmonin dhe u bë diçka shumë konsumuese. Ka qenë një periudhë shumë intensive. Ndoshta është thjesht fat, siç thashë, ndonjëherë është si lojë me letra, të bien në dorë disa letra të caktuara dhe duhet të luash me to sa më mirë të mundesh”, -thotë Arvizu.

Arvizu, gjatë intervistës pyetet edhe për reagimin e deputetit Sali Berisha të nesërmen e deklarimeve në Top Story.

“Mendoj se konteksti ka qenë ai i fjalëve të mia në Top Story javën e kaluar, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me rolin e PD-së dhe shkallën e ndërveprimit tonë. Mendoj që teksti i zbardhur e bën shumë të qartë se cila ishte përgjigja ime; që, kisha folur me zotin Basha në telefon. Ishte një bisedë e shkurtër dhe përgjigjja e menjëhershme nga PD ishte pozitive.

Më pas, disa ditë më vonë, mendoj të enjten, pamë disa veprime që mendova se ishin paksa provokuese dhe të padobishme. Kështu, në mendjen tonë u krijua pak çoroditje sepse dukeshin në kundërshtim. Për sa i përket komenteve të zotit Berisha, mendoj që disa njerëz do të thonin që Vali Bizhga në fakt, krahasueshmërisht, ka më shumë ndikim në Partinë Socialiste. Por, çështja është që është me rëndësi për SHBA dhe SHBA i kushton shumë rëndësi pasjes së marrëdhënieve të forta institucionale me Partinë Demokratike”,-deklaroi ambasadori amerikan.

Arvizu edhe njëherë tjetër i rikthehet deklaratës së tij kur artikuloi termin e shkeljes së “Vijës së Kuqe” nga Lulzim Basha, ndërsa komenton edhe zhvillimet e seancës parlamentare dy javë më parë ku deputetët e opozitës kërkonin sqarime për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, madje veçon edhe një episod të asaj dite, referuar deputetes Jozefina Topalli.

“Ishte një deputet i caktuar i PD-së që ulet pranë zotit Berisha në radhën e tretë, faqja e Facebook e të cilit kishte një kopje të retushuar, më duket të ‘The Daily Mirror’. Faqja e gazetës kishte një foto të disa fëmijëve të vrarë me gaz nga Asadi, një foto faktike të masakrës. Faqja e retushuar kishte të njëjtën foto, por fjalët thoshin, ‘radhën e kanë fëmijët shqiptarë’ apo diçka e tillë. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht provokuese. Është diçka e paskrupullt.

Është e pavend. Thjesht e gabuar dhe kjo ambasadë dhe Uashingtoni u skandalizuam. Dhe unë e vendos një gjë të tillë në krah të sigurive që më kishte dhënë zoti Basha vetëm pak ditë më parë, që PD-ja i kuptonte sensitivitetet. Nuk është se thamë ndonjëherë mos protestoni apo mos kritikoni qeverinë; kjo nuk ishte kurrë pjesë e bisedës, por thjesht vendos pranë atë foto drithëruese prej një politikani të lartë të PD-së me atë që zoti Basha më kishte thënë më parë. Ndaj mendoj se ka qenë pyetje me vend: Je apo jo në kontroll?”, thotë Arvizu.

Skënder Minxhozi, kryeredaktor i “Javës” e pyet ambasadorin Arvizu “a nuk keni përshtypjen se qeveria duhet ta kishte trajtuar opinionin publik në një mënyrë krejt tjetër?”.

Arvizu jep këtë koment për mungesën e informacionit rreth bisedimeve për lëndët kimike: “Mendoj se qartazi mungesa e informacionit që i dha shkas shumë spekulimeve, shumë prej të cilave në fakt të pasakta, ishte fatkeqësisht një faktor kontribuues. Por, ajo që shpresoj që do të pasojë këtë do të jetë një ndërgjegjësim më i madh shoqëror. Ju përmendët Gërdecin; Zot na ruajtë nga ndonjë Gërdec tjetër, këtu apo gjetkë, por, nëse do të kishte një lloj tragjedie të ngjashme, do të shpresoja që përgjigjia e qytetarëve ndaj një tragjedie të tillë që ne shpresojmë të mos ndodhë, do të jetë e ndryshme nga ajo e marsit 2008, kur ishte shumë pasive”. /Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button