Kazakistani voton Kosovën

Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e fuqishme të Kazakistanit, në Kongresin e UEFA-s më 3 maj. Ky është premtimi që e ka marrë presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, gjatë takimit që e pati me presidentin e Federatës së Futbollit të Kazakistanit, Yerlan Kozhagapanov, derisa në takim ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kreu i klubit prishtinas beson se është momenti i fundit që futbolli kosovar të ndërkombëtarizohet

Ky mund të jetë sezoni i fundit që futbollistët kosovarë luajnë në izolim. Kosova mund ta marrë dritën jeshile për pranim në UEFA e FIFA, gjatë muajit maj, në kongreset e këtyre dy institucioneve.

Për ta arritur këtë, po punojnë dhe lobojnë njerëz të ndryshëm të sportit në vend. Njëri prej tyre është edhe presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, shkruan Zëri.

Ai së fundmi e pati një takim me presidentin e Federatës së Futbollit të Kazakistanit, Yerlan Kozhagapanov, me të cilin foli për gjendjen e futbollit në vend.

Image

Ndërkohë, kreu i klubit prishtinas mori premtim nga Kozhagapanov se Kazakistani do ta mbështesë Kosovën, mbi të gjitha në Kongresin e UEFA-s, i cili pritet të mbahet më 3 maj në Hungari.

“Me kryetarin e Federatës së Kazakistanit u takuam në ditëlindjen e Afrim Pacollit. Gjithashtu, patëm takim edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Kozhagapanov premtoi mbështetje për Kosovën kur të vijë momenti i pranimit në UEFA e FIFA. Gjithashtu, edhe presidenti Duka u shpreh i bindur se Kosova do të pranohet në muajin maj”, u shpreh Ejupi për “Zërin”.

Image

Cana me shokë, ambasadorë të Kosovës

Kreu i futbollit kazak ka qenë mjaft mirë i informuar me talentet që ka nxjerrë Kosova ndër vite. Sipas Ejupit, ai i ka njohur lojtarët si Cana, Xhaka, Behrami, Shaqiri, apo edhe Januzaj, për të cilët shprehu admirim.

“Ai i njihte yjet e futbollit kosovar dhe kërkoi nëse është e mundshme që në të ardhmen, talentët kosovarë të shkojnë të luajnë në ndonjë skuadër kazake. Cana, Shaqiri, Behrami, Xhaka dhe të tjerët, janë ambasadorët e futbollit kosovar. Ata po i japin imazh të mirë Kosovës, pasi vendi ynë po identifikohet me ta”, nënvizoi Ejupi.

Image

Pranimi i Kosovës u vendos në Bruksel

Ejupi shprehet i bindur se futbolli kosovar do të ndërkombëtarizohet pas më pak se dy muajsh. Sipas tij, në këtë rast, rolin kyç do ta luajë politika.

“Mendoj se ky është fundi, boll kemi pritur. Nuk kanë më arsye të na refuzojnë. Tash, as Serbia nuk na pengon, pasi është arritur marrëveshja në Bruksel, në bazë të së cilës, as Kosova e as Serbia nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën për t’u integruar në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Kosova s’ia ka bërë asnjë pengesë Serbisë deri tash. Besoj se këtë problem e ka zgjidhur Brukseli, i cili ka vepruar indirekt në këtë çështje. Në këtë rast ka intervenuar politika”, përfundoi presidenti i bardhekaltërve.

Image

Sa u përket zgjedhjeve të reja në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, Ejupi shpreson dhe beson se presidenti i ri i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA.

Ai foli edhe për FC Prishtinën, e cila nuk e nisi mirë pjesën e dytë të kampionatit, përkundër ndryshimeve. Sidoqoftë, Ejupi tregon se prishtinasve do t’iu vijnë të premten gjashtë futbollistë afrikanë dhe ai beson se kryeqytetasit do të këndellen shumë shpejt. /Zëri/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button