Mustafa tregon prioritetet e Qeverisë për vitin 2016

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është shprehur se vitin e kaluara janë kryer disa reforma të nevojshme ekonomike dhe institucionale të cilat sipas tij krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillim ekonomik dhe për funksionim të shtetit ligjor.

“Reforma fiskale po tregohet e suksesshme në nxitjen e bizneseve. Kurse me ndryshimet dhe plotësimet ligjore, janë pavarësuar krejtësisht Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Është aplikuar Ligji mbi faljen e borxheve, është aprovuar Ligji për fondin mbi garantimin e kredive për biznese, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Prokurimin Publik, kurse në procedurë të Kuvendit është edhe aprovim i Ligjit për Investime Strategjike”.

Mustafa është shprehur se ka pasur arritje edhe në fushën sociale.

“Në fushën sociale, duhet theksuar se përmes zbatimit të përvojës së punës, pagat mesatarisht janë ngritur mbi 6%, janë rritë ndihmat sociale për 25% dhe po ashtu janë rritë pensionet e kontributdhënësve së paku për 20%”.

Ndërsa sipas tij, ka një normë të rritjes ekonomike më të madhe në rajon ndërsa rreth 18 mijë persona janë punësuar në vitin 2015 duke përfshirë edhe ata në bujqësi.

Mustafa ka shtuar se këtë vit pritet që të fillojnë disa projekte shumë të rëndësishme, sipas tij më të rëndësishmet e pasluftës.

“Ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, e cila ka vlerën prej mbi një miliardë euro. Përfundimin e marrëveshjes për kompleksin turistik në Brezovicë me një vlerë të investimit prej mbi 400 milion euro, shumë projekte të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, fillimin e zbatimit të MSA, që nënkupton mundësi më të mëdha të tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë dhe prezencë më të madhe të produkteve “Made in Kosova” në tregun e BE-së. Zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike, i cili mundëson marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorë të jashtëm. Do të aprovojmë Ligjin dhe Strategjinë për Trepçën” ka thënë Mustafa në Facebook, transmeton Klan Kosova.

I pari i ekzekutivit ka thënë gjithashtu se këtë vit do të punohet në pesë çështje të rëndësisës së madhe për vendin.

“Do të iniciojmë: – Kompensimin e dëmeve të luftës, përfshirë edhe kompensimin e pensioneve të grabitura nga Serbia para dhe gjatë luftës; Zbardhjen e të gjitha rasteve të të pagjeturve; Zbardhjen e dyshimeve të vrasjeve politike, përmes sistemit vendor të drejtësisë; Reformën zgjedhore, e cila do të krijonte një ambient më të mirë për zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe zgjedhjet nacionale të vitit 2018”.

Ai ka përfunduar duke thënë se “realizimi i këtyre objektivave është në interes të vendit, të qytetarëve dhe të të gjitha subjekteve politike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button