Diskutim parlamentar, blerje armatimi pa tatim dhe taksa doganore

Me plotësimin e Ligjit për mbrojtje, parshikohet që Ministria e Mbrojtjes të lirohet nga pagesa e tatimeve dhe taksave doganore për armatim dhe pajisje ushtarake me qëllim modernizimin e Armatës së Republikës së Maqedonisë, tha ministri i mbrojtjes Zoran Jolevski. Këto ndryshime vijnë pas planit për modernizimin e armatës në pajtim me standardet e NATO-s, me ç‘rast 2% nga Prodhimi i Brendshëm Bruto duhet të destinohen për mbrojtje, ndërsa prej tyre, 20% të alokohen për modernizimin e ushtrisë. Për deputetët e LSDM-së, është i kontestueshëm fakti që nuk ka numra për atë se sa mjete janë destinuar për modernizim, dhe as sa do të jetë lirimi tatimor. Goran Sugarevski tha se për LSDM-në, procedura është e dyshimtë dhe se pas saj fshehet ndonjë biznes, njofton TV21.

“Nuk duhet të hiqen taksat doganore dhe TVSH-ja sepse buxheti sillet para fillimit të vitit. Por çfarë ndodh me atë Buxhet? Parashikohen të holla, në pajtim me programin e NATO-s, prej 2,3 në 2,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe këto duhet të destinohen për ushrinë. Por, ju çfarë bëni? Keni prej 1,2 deri 1,4%. Dhe ç‘ndodh më pas? Të hollat e para që merren nga ribalansi i Buxhetit janë pikërisht nga kjo. Nga kjo shohim se synimi i VMRO-DPMNE-së për anëtarësim në NATO është deklarativ”, u shpreh Goran Sugarevski, nga LSDM.

Ilija Dimovski tha se është e domosdoshme që ky plan të miratohet dhe se për këtë plan ka punuar ekip prej 100 ekspertësh. Dimovski e akuzoi LSDM-në për mosvotimin e planit për blerje të armatimit, veçanërisht, siç tha, në kushte të krizës së sigurisë në Evropë.

“Të gjithë fqinjët tanë blejnë armatim. Maqedonia ballafaqohet me krizë të sigurisë, e cila, që nga viti 2001, është më i madhi deri sot. Politika e bërjes lojëra dhe të jetuarit në një botë dhe tregime fiktive, se dikush nga kjo do të përfitonte ilegalisht, është papërgjegjëshmëri e skajshme, joseriozitet dhe sjellje joshtetërore”, tha Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE.

Në ligj, ka ndryshim edhe të një neni, që parashikon lirim nga TVSH-ja në lartësi prej 5%, për uljen e shpenzimeve të pjesëtarëve të ARM-së për zgjidhjen e çështjes së banimit në kuadër të projektit “ARM-ja – shtëpia ime”. Për këtë ligj duhet të votojnë 82 deputetë ose 2/3 nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button