Visar Ymeri shoqërohet në Polici (VIDEO)

Kreu i Lëvizjes Vetëvendsoje Visar Ymeri sot në orët e mëngjesit është shoqëruar në Polici, njofton Klan Kosova.

Lëvizja Vetëvendosje menjëherë ka reaguar për shoqërimin e Visar Ymerit në Polici.

Më poshtë është reagimi i plotë:

Në mëngjesin e ditës së mërkurë, data 2 mars 2016, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë arrestuar në banesën e tij kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymerin.

Visar Ymeri është arrestuar edhe pse gëzon imunitet, si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai është dërguar me forcë në gjykatë, ku është i thirrur si dëshmitar.

Arrestimi i kryetarit të subjektit më të madh opozitar vjen pas qindra arrestimesh të aktivistëve e deputetëve të Lëvizjes në gjashtë muajt e fundit.

Arsyet e kësaj përndjekje mesjetare janë tërësisht politike, duke qenë se për gjashtë muaj me radhë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur të bllokojë marrëveshjet e dëmshme për vendin, atë për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin”.

Të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përfshirë këtu kryetarin Visar Ymeri, shefin e grupit parlamentar Glauk Konjufca apo sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, nuk janë njerëz që arratisen prej Kosovës për t’i ikur drejtësisë, siç bëjnë zyrtarët e lartë të partive në pushtet.

Të gjithë ne jemi të arrestueshëm, ndryshe nga kriminelët dhe multimilionerët e PDK-së dhe LDK-së që janë të paprekshëm. Por nuk do të vijmë vetë në gjyqet politike të urdhëruara nga pushteti. Do të vazhdojmë rezistencën deri sa ta shpërfaqim krejt dhunën policore dhe shumëstandartësinë gjyqësore të këtij pushteti me karakteristika totalitare.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button