Cozman pranon akuzën për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ja vendimi i gjykatës

Ylber Abdullahu, reperi i njohur me emrin Cozman ka pranuar akuzën për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ndërkohë që Gjykata e Tiranës ka pranuar sot kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.

Siç shkruan “Panoram”, në seancën e sotme, pasi ka shqyrtuar kërkesën e të pandehurit, trupi gjykues ka vendosur që Cozman t’i nënshtrohet gjykimit të shkurtuar. I pranishëm në seancë, Cozman e pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë. Sipas gjykimit normal, Cozman rrezikonte deri në 10 vjet burg. Më 15 mars, do lexohet pretenca e prokurorisë për të parë sa vite dënim do kërkohen për të.

Reperi 30-vjeçar, i përfolur për raportin e tij me këngëtaren Altuna Sejdiu, Tuna, është nën hetim në lidhje me një sasi prej 20 gramësh kanabis sativa, që mbante me vete më 4 korrik 2015.

Dosja në ngarkim të tij është regjistruar me numrin 1285 në Gjykatën e Tiranës, më 27 janar. Cozman u hetua në gjendje të lirë. Pas arrestimit të tij, në korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi lënien e tij në masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” kundrejt garancisë së pasurisë 5 mijë euro. Përmes avokatit mbrojtës, Marash Ibraj, Cozman pretendoi se ishte përdorues i lëndës narkotike dhe se sasinë e gjetur nga policia e kishte për përdorim vetjak.

Po ashtu, avokati argumentoi se klienti i tij ishte në një program rehabilitimi për largimin nga varësia e përdorimit të lëndëve narkotike. Referuar dosjes së prokurorisë, reperi Cozman u arrestua pak pasi kishte siguruar sasinë e lëndës narkotike te një grup personash, që po mbaheshin në vëzhgim nga policia, si të dyshuar për shpërndarje droge në Tiranë.

Shërbimet policore i bënë shenjë “stop” automjetit të tij tip “Range Rover” në rrugën “Asim Vokshi”, në afërsi të Dispanserisë. “Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se shtetasi Ylber Abdullahu mbante në prehrin e tij një qese të bardhë të tejdukshme me lëndë narkotike, produkt kanabis sativa, në sasinë prej 20 gramë, me gjithë ambalazh.

Këto veprime të punonjësve të policisë janë pasqyruar në procesverbalin e kapjes në flagrancë dhe lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe i është nënshtruar ekspertimit”, thuhej në dosje.

Paralelisht me Cozmanin, në Gjykatën e Tiranës pjesë e gjykimit janë edhe personat e tjerë ku ai bleu drogën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button