Agoni në Filipine, ekonomia e dytë më e madhe e botës ofron vetëm 200 000 dollar

Editorial – “The New York Times”

Disa ditë pasi një prej tajfunëve më të ashpër goditi Filipinet, përmasat  e katastrofës tregohen përafërsisht nga statistikat: mbi 2 mije persona të vdekur dhe disa mijëra të tjerë të zhdukur, më shumë se 600 000 persona të shpërngulur, numër i pallogaritshëm rrugësh dhe shtëpish të shkatërruara.

Fotografitë e të vdekurve rrugëve të qytetit janë zemër-copëtuese. Përpjekjet e shpëtimit po përballen me pengesa serioze teksa një numër i madh të mbijetuarish kërkojnë dëshpërimisht ushqim, ujë, kujdes shëndetësor dhe strehim. Situata është kaq e nderë saqë trupat filipinase janë vendosur në Takloban, kryeqytetin e shkatërruar bregdetar të Provincës Leyte, për të parandaluar çdo trazirë të mundshme.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për 300 milionë dollarë ndihma, dhe disa donatorë të besueshëm të së kaluarës– Shtetet e Bashkuara (20 milionë  dollarë), Japonia (10 milionë dollarë), Australia (9.3 milionë dollarë), Britania (16 milionë dollarë) – ofruan sërish shuma bujare. Përjashtim bën Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara. Kina është në tension me Filipinet lidhur me pretendimet për Detin e Kinës Jugore dhe ka ofruar shumën e vogël të 200 000 dollarëve. Por, shpërndarja e ndihmave për të prekurit nga tajfuni është vështirësuar shumë për shkak të rrugëve të pakalueshme, infrastrukturës së shkatërruar dhe mungesës së avionëve të aftë për t’u ulur në pista të shkurtra.

Presidenti Obama u zotua në fillim-javë se Amerika do të sigurojë ndihmën e saj sa më shpejt të jetë e mundur.  SHBA-të tashmë kanë dërguar në rajon një luftë-anije me mbi 5000 marinarë dhe 80 avionë sikundër edhe katër anije të tjera. Britania po ashtu ka dërguar luftë-anije. Por edhe ndihma e madhe e ofruar nuk garanton një përgjigje të suksesshme, dhe zyrtarët filipinas janë kritikuar tashmë për veprim të ngadaltë.

Erërat e fuqishme dhe kthimi i oqeanit në “cunami” që shkatërroi rajonin qendror të Filipineve nuk do të jetë i fundit. Arkipelagu prej 7 000 ishujsh  është në mes të zonës së rrahur nga stuhitë. Dhe teksa është e vështirë ta lidhësh çngjarje natyrore me ndryshimet klimatike, ka pak dyshime se rritja e nivelit të deteve e shkaktuar nga ngrohja globale do të përkeqësohet dhe të bëhet më e rrezikshme. Dhe ekspertët thonë se popullatat urbane në zgjerim, ndërtimet e dobëta dhe varfëria rrisin cënueshmërinë e zonave bregdetare gjithandej.

Sapo kriza të kalojë, zyrtarët filipinas, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, duhet të ri-ekzaminojnë sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe procedurat e evakuimit. Evakuimi më i shpejtë mund të jetë rruga e vetme për të shpëtuar më shumë jetë në fatkeqësi të tilla.

Lajme të ngjashme

Back to top button