Lenini ra…

Populli ukrainas e rrëzoi monumentin e Leninit në Kiev, në shenjë revolte ndaj veprimeve të qeverisë së vet. Lenini, një figurë revolucionare përparimtare për kohën e tij, udhëheqës i revolucionit boleshevik, ishte ruajtur deri tani në kryeqytet, në nder të frymës progresiste që rrezatoi. Por, erdhi një ditë kur kjo figurë, e lartësuar në momument, simbol dhe kujtim i së kaluarës së përbashkët sovjetike me Rusinë e sotme të Putinit, kaloi kufijtë e progresit dhe nisi të bëhej simbol i regresit, prandaj populli tregoi se nuk e dëshironte më këtë simbol në kryeqendrën e vet. E rrëzoi, me kokë poshtë, si shumë ish udhëheqës të tjerë. Populli nuk fal! 

Populli ukrainas doli në protestë, që prej më shumë se tre javësh. As temperaturat e ulëta dhe as frika nga dhuna shtetërore nuk i ndalën ata njerëz të kërkojnë nga qeveria t’ua dëgjojë zërin e aspiratave. Ata e dinë se ç’duan. Ata janë të gjithë një trup, të paktën ata me ide të njëjta të bashkuar krah për krah opozitës (kryesisht prej shtresës së mesme, të ardhur nga të gjitha anët e vendit madje edhe nga rajonet në kufi me Rusinë), që kanë dalë në rrugë. Ata janë një popull, përballë qeverisë së vet.

Në një rast të tillë, a do mundeshim ne në Maqedoni, si popull, si një trup, të dilnim përballë qeverisë sonë ? Jo, sepse në fakt, ne nuk jemi një popull me një kauzë të vetme të përbashkët. Ne nuk këmi qëllime madhore, siç ka për shembull populli ukrainas hyrjen në BE. Ne jemi një popull shumë-etnik dhe shumë-kauzor. Tek ne në Maqedoni, çdo etni tashmë e ka kauzën e vet dhe « lufton » për të, më vete. Për shembull, ne shqiptarët ende vuajmë për të fituar kauzat tona si përdorimi i gjuhës amtare, flamuri, punësimi në shtet etj., etj. Nga ana tjetër, bashkëqytetarët tanë maqedonas kanë kauzat e tyre si emri i shtetit, ndërtimi i historisë, forcimi i sektorit të biznesit privat etj., etj. Ndërkohë, qeveria jonë e përbashkët, në vend që të punojë për njehsimin e këtyre qëllimeve në një qëllim të vetëm madhor siç i takon një shteti multietnik i cili do qëndronte mbi interesat e vogla të vetë etnive, ajo punon për kauzat etnike veç e veç. Se cila pjesë i arrin kauzat e veta, e cila jo, varet: i madhi e ha të voglin zakonisht, por kjo është çështje tjetër.

Çfarë ka rëndësi në këtë situatë, është se në Maqedoni, qeveria si një njësi unitare, ka “harruar” se duhet të punojë për një kauzë unitare afatgjatë, të njëjtë për të dyja etnitë më të mëdha në vend, që është avancimi i vendit drejt një sistemi të përbashkët vlerash demokratike dhe ekonomike, si Bashkimi Europian. Sigurisht që këtë ajo nuk e mohon madje e ka kryefjalë të retorikës së vet. Problemi është se qeveria ditën flet për BE-në e natën ndërton murin ndarës të Maqedonisë. Retorika është pro-forma për angazhime sipas kërkesave të Unionit ndërsa realiteti zien nga sabotimi i marrëdhënieve ndëretnike, ekonomisë dhe politikës fqinjësore. Por kush do protestojë për këto? Shqiptarët kanë hall të punësohen në administratën shtetërore (edhe pse marrin rrogë për tu pa-aftësuar në shtëpi) dhe kënaqen me një flamur, ndërsa maqedonasit kënaqen me statusin e privilegjuar që po u siguron qeveria e tyre. 

Të dyja etnitë më të mëdha, së pari, duhet të vetëdijësohen se qeveria e përbashkët do të bënte më shumë punë për proceset integruese nëse këtë do ia kërkonte populli, përndryshe, nëse populli mbetet kështu i ndarë më dysh, peng i  flamujve dhe statujave, kjo qeveri as që do të lodhet ndonjëherë për ti zgjidhur këto çështjet e vogla etnike dhe për të kaluar tek të mëdhatë integruese. Megjithëse një popull i kryesuar nga dy etni mazhoritare, kauza e tij e përbashkët në këtë vend të vogël duhet të jetë madhore për dy arsye: Vetëm një kauzë e madhe mund të rrisë cilësisht një popull të vogël. Një popull me kauzë madhore mund të kuptojë se ai ia jep forcën një qeverie dhe ai mund t’ia marrë! Pa i kuptuar këto dy paradigma, na mbetet veçse të shohim se si ukrainasit e revoltuar e rrëzojnë statujën e Leninit.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button