Shkëndija fillon sezonin pranveror me fanella të reja
Shkëndija fillimin e gjysmësezonit pranveror do ta presë me ‘look’ të ri. Për herë të parë në histori të klubit, arrihet marrëveshje sponsorizimi që skuadra të ‘vishet’ enkas nga një brend dhe prodhues i pajisjeve sportive. Drejtuesit e klubit 6-të muaj më parë arritën marrëveshje bashkëpunimi me prodhuesin italian të veshjeve sportive ‘Macron’, në një kontratë që parasheh furnizimin e gjithë kategorive të klubit me materialet e nevojshme. Veshjet e reja futbollistët janë duke i shfrytëzuar prej udhëtimit në fazën përgatitore që u zhvillua në Antalia të Turqisë, ndërsa pikërisht për shkak të dëshirës që fanella e re ‘kuqezi’ të prezantohet para vazhdimit të kampionatit në Ligën e Parë, në Turqi skuadra luajti me fanellën e tretë ku dominon ngjyra e kaltërt e errët, ndërsa ka edhe elemente me të kuq dhe bardhë.
Fanella e re zyrtare me ngjyrat tradicionale ‘kuqezi’ vjen me ndryshim në dizejn dhe vijat e deritashme vertikale, zëvendësohen me ato horizontale. Logoja e klubit njëjtë si më parë është e qepur, ndërsa në pjesën e djatthë të poshtme mund të shihet një ‘vulë’ e ‘bashkëpunimit’ Shkëndija-Macron. Ndërkohë në pjesën e epërme të prapme është qepur slogani i njohur i klubit, ‘Mbi të gjitha’.