Skenari i zgjedhjes së Hashim Thaçit president

Javën e fundit të muajit shkurt, pritet të thirret seancë e jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: zgjedhja e presidentit të Kosovës. Kandidati që pritet të marrë votat e nevojshme të tri partive të koalicionit – PDK, LDK dhe Lista serbe – është Hashim Thaçi.
Burime nga procesi i kanë thënë Insajderit, se me rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, dhe vendeve tjera, zgjedhja e Thaçi do të ndodh pas 17 shkurtit.

Kjo ditë, që është përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është zgjedhur nga opozita për protestë prej orës 14:00. Protesta është duke u parë dhe pritur me shqetësim. Analizat e organeve të sigurisë flasin për shpërthim të dhunës.

“Zgjedhja e Thaçit varet edhe nga protestat. Nëse ka dhunë të përmasave të paparashikueshme, situata mund të ndryshojë”, ka thënë një burim brenda koalicionit qeverisës, transmeton Telegraf.

Por, Thaçi nuk do t’i ketë votat e të gjithë deputetëve të koalicionit. Vjosa Osmani, Alma Lama dhe Adem Salihaj nuk do të marrin pjesë fare në seancë. Ata po synojnë t’ia rrezikojnë kuorumin e nevojshëm prej 80 votash. Ndërsa, Arben Gashi që ka thënë se nuk do ta votojë Thaçin për president, pritet të jetë i pranishëm në seancë.

Partnerët e koalicionit presin që 5-6 deputetë të PDK-së të votojnë kundër liderit të tyre për president.

“Kjo edhe mund të ndryshojë, sepse zgjedhja bëhet me vota të fshehta”, ka thënë ky burim.

PDK-ja tashmë ka kryer përgatitjet. Nënshkrimet i ka mbledhur për të thirrur seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet në sallën alternative të Kuvendit. Opozita ka paralajmëruar bllokim të seancës si ka vepruar deri tash. Gazi lotsjellës është njëri prej opsioneve kryesore për pengimin e mbajtjes së seancës.

“Thaçi për president nuk ka kundërshtim nga ndërkombëtarët”, ka thënë burimi. “Ndërkombëtarët po e mbështesin edhe për një fakt: janë kundër zgjedhjeve të parakohshme”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button