Ministrat e Sali Berishës nën hetim

Ka ndodhur ajo që pritej dhe që është paralajmëruar prej dy vitesh nga media. Arben Imami do të jetë ministri i parë i Sali Berishës, i cili do të përballet me drejtësinë, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Dosja e plotë në ngarkim të Arben Imamit është dorëzuar në prokurori, ndërsa shumë shpejt bashkëpunëtori i ngushtë i Sali Berishës pritet të merret si i pandehur.

Kryeprokurori Adriatik Llalla, Gjykata e Lartë dhe sistemi i drejtësisë në tërësi do të jenë para provës së radhës, nëse do të dënojnë Arben Imamin, por do të triumfojë kultura e pandëshkueshmërisë.  Asnjë ministër tjetër në qeverinë e Sali Berishës nuk është akuzuar dhe lakuar sa ç’është denoncuar Arben Imami për korrupsionin. Gazeta “SOT” ka rreshtuar me fakte dhe prova konkrete me dhjetëra skandale korruptive, ku protagonist kryesor ka qenë pikërisht Arben Imami. Por, i inkurajuar nga precedenti i Lulzim Bashës, i cili vodhi 230 milionë euro me rrugën Durrës-Kukës dhe shpëtoi me procedurë, Arben Imami vijoi avazin e tij, duke firmosur të gjitha pazaret me përfitues njerëzit pranë familjes së Sali Berishës.

Emri Arben Imami del tek trafiku i armëve, abuzimet me demontimet, përgjimi i opozitës, marrje e kompetencave të Presidentit, tjetërsim pronash, abuzime me tendera etj. Për këtë dhe shumë afera të tjera, një grup ekspertësh kanë përgatitur dosjen e Arben Imamit për ta dorëzuar në prokurori. Lajmi është konfirmuar nga vetëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila deklaroi se Arben Imami akuzohet për konsumimin e veprave penale; “shpërdorim detyre”, “shkelje e kontributeve të dhëna nga shteti” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Bëhet fjalë për shpenzime për spote publicitare në 2 vitet e fundit që kapin vlerën e 1.2 milionë euro, duke filluar nga 100 vjetori i Repartit Ushtarak numër 6660, të paguara një kompanie reklamash që janë transmetuar në media proqeveritare, asokohe.

Afera e dyshuar ka lidhje me abuzimin e Ministrisë së Mbrojtjes për tre spote televizive të transmetuara në dy media kombëtare dhe që kapin shifrën e 99 milionë e 943 mijë e 488 lekëve të reja. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i ka paguar agjencisë publicitare Promo shpk, e cila kontrollohet nga vëllai i Frangajt. Për shkak të kufizimit të buxhetit dhe parregullsisë në prokurimin e tyre, Imami e ka bërë pagesën në emër të një reparti ushtarak me nr. 6660.

Deklarata e Kodhelit
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka deklaruar se dosja e Imamit është e mirëstudiuar. “Sot Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal, në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish-punonjësve të kësaj ministrie, për konsumin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti, si dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik, të parashikuara këto në nenet 248, 256 dhe 258 të Kodit të Procedurës Penale, të Republikës së Shqipërisë. Në fakt, ky nuk është një kallëzim i zakonshëm, kemi të bëjmë me një padi të mirëargumentuar, të përgatitur nga një grup ekspertësh, të cilët kanë shqyrtuar deri në detaje të gjithë këta aferë korruptive dhe kanë dalë në konkluzionin se kush ka qenë pjesë e kësaj procedure, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë. I kërkoj në mënyrë të veçantë Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë duke investiguar mbi të gjitha këto veprime antiligjore që kanë çuar, sipas nesh, në shkelje të procedurave dhe në një abuzim të madh me paranë publike. Ndërkohë, mund t’ju them se nuk është aspak komode për mua dhe as për bashkëpunëtorët e mi për këtë veprim ndaj paraardhësit tim, por ju siguroj se kjo është gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara këtyre fakteve dhe provave të pamohueshme”, ka deklaruar Kodheli. Përveç ish-ministrit, dosja i është dorëzuar organit qendror të hetimit edhe për katër vartës të tij.

Ja bashkëpunëtorët e Imamit, nën akuzë
Ish-drejtori i DRSHM, Shkëlqim Berisha
Këshilltari për median, Mentor Beqa  
Nëndrejtori i Qendrës së Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes, Sokol Neziraj
Shefja e logjistikës e QKMB, Nilka Sinën

Uashington Post: Imami rrezikon 7 vjet burg
Uashington Post, gazeta e rëndësishme amerikane, shkruan se Arben Imami rrezikon 7 vjet burg. “Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha të hënën se ajo do u dërgojë autoriteteve të drejtësisë prova që implikojnë paraardhësin e saj, Arben Imami, në abuzim me detyrën dhe keqmenaxhim të fondeve publike- krime që mund të dënohen me maksimumi 7 vjet burg”, shkruan Uashington Post. Adriatik Doçi

  

Lajme të ngjashme

Back to top button