OKB: Regjimi sirian, ISIS dhe El Nusra po kryejnë krime lufte

Komisioni i pavarur hetimor i Kombeve të Bashkuara në Siri, në raportin e fundit thekson se forcat e ushtrisë siriane, organizata terroriste DAESH dhe El Nusra, përmes torturave dhe vrasjeve masive ndaj të burgosurve në burgje po kryejnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti i Komisionit të OKB-së ka të bëjë me abuzimin sistematik dhe vrasjen e të burgosurve në Siri gjatë periudhës prej 10 mars 2011 deri më 30 nëntor 2015 dhe është përgatitur në bazë të dëshmisë së 621 personave.

Duke treguar për ekzekutimet dhe zhdukjen masive të njerëzve gjatë torturave në burgjet zyrtare dhe jozyrtare në Siri, në raport thuhet se të burgosurit po dërgohen në burgje të përkohshme larg nga frontet e luftës dhe syve të opinionit ku po abuzohen dhe vriten në mënyrë sistematike.

“Regjimi sirian ka kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit me vrasjet masive, abuzimet, përdhunimet, paraburgimet, rrëmbimet dhe krimet e tjera kundër njerëzimit”, theksohet në raport.

“Regjimi sirian që nga marsi i vitit 2011 ka kryer arrestime sipas dëshirës të njerëzve që kanë mbështetur opozitën apo kanë mbështetur pamjaftueshëm regjimin, dhe kjo veçanërisht ka ndodhur tek njerëzit e moshës nga 15 vjet të cilët forcat e regjimit i arrestojnë gjatë bastisjeve të shtëpive apo në pikat e kontrollit. Rreth torturave dhe keqtrajtimit shtazarak që kanë përjetuar në burgjet siriane kanë dëshmuar më shumë se 500 të burgosur të cilët arritën të shpëtojnë gjallë. Mbi 200 prej tyre kanë marrë pjesë personalisht të paktën në një vrasje të tillë në burgje”, thuhet në raport.

Komisioni i OKB-së gjithashtu foli edhe për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Siri nga grupi terrorist El Nusra dhe disa grupeve të armatosura që luftojnë kundër regjimit sirian, të cilët abuzojnë dhe vrasin ushtarët e kapur të ushtrisë siriane.

Më tej flet edhe për burgjet e ndryshme në disa vende të organizatës terroriste DAESH në Siri ku torturohen të burgosurit. Duke treguar provat e torturës dhe ekzekutimeve masive në këto burgje, raporti thotë se DAESH ka kryer krime lufte.

Në përfundim të Komisionit të OKB-së theksohet se çështja e ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit duhet të përfshihet në procesin e kërkimit të zgjidhjes politike të krizës siriane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button