Balotelli shfryhet: Ato që shkruhen për mua janë idiotësira

Mario Balotelli rikthehet një gjigand në fushë. Sulmuesi i Milanit e mori për dore skuadrën në transfertën e Livornos, duke i shmangur asaj humbjen, ndonëse fati i keq pas një goditjeje spektakolare të stampuar në traversë i shmangu tripletën personale dhe fitoren Milanin.

Gjithsesi, pas një paraqitjeje të tillë, që meriton të gjitha elozhet e mundshme, 23-vjeçari kërkon të shfryjë kundër atyre që e kanë masakruar me sulme e akuza në dy muajt e fundit.

“Kur them se ato që shkruhen për mua janë idiotësira, këtë e tregon paraqitja ime me Livornon. Unë nuk kam pasur kurrë probleme me askënd në grup apo psikologjike e fizike siç kanë hipotetizuar disa. Thjesht më kishte munguar goli dhe kaq, por ndaj Livornos shënova dy, ndërsa traversa dhe fati më mohuan të tretin. Kjo transfertë ishte me dy fytyra për ne, gjysmë e mirë dhe gjysmë skandaloze.

E mirë për reagimin që patëm pas pësimit të golit të dytë dhe skandaloze si rrjedhojë e lehtësisë me të cilën mposhtemi ndaj kundërsulmeve të rivalëve tanë. Ky është një problem që na ndëshkon që në fillim të vitit dhe tani e në vazhdim duhet të punojmë shumë për ta shmangur, sepse kalendari na tregon se na presin tri ndeshje shumë të vështira (Ajax, Roma dhe Inter). Më duket absurde që në çdo gjuajtje që marrim në kuadrat pësojmë gol, por teksa do punojmë për të zgjidhur këtë problem, duhet të nisim të mbyllim sa më shpejt ndeshjet kur jemi në avantazh”, deklaroi Balotelli.

“A i mjafton Balotelli këtij Milani? Unë ndihem i lumtur këtu, por çështja është që nëse skuadra nuk ecën mirë, mua kjo gjë më nervozon, ashtu sikurse të gjithë shokët e mi. Veshim këtë fanellë për ta nderuar, për ta çuar te trofetë, por për momentin na mungon edhe pak fat, sepse ajo traversë duhej të përfundonte në rrjetë, e ndjeja”.

“Gjithsesi, premtoj se kundër Ajaxit të tilla gjuajtje do përfundojnë në portë. Të mërkurën do luajmë një sfidë që duhet ta fitojmë me çdo kusht dhe do ta fitojmë, për t’i dhënë një tjetër përgjigje personale atyre që më quajtën të vdekur”.

Lajme të ngjashme

Back to top button