Përmbledhje e zhvillimeve rreth takimit të nesërm te presidentja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të ulet të hënën bashkë me Isa Mustafën e Hashim Thaçin. Kreu i AAK-së i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Atifete Jahjaga për një takim të përbashkët, në përpjekjet e saj për ta gjetur një zgjidhje për krizën politike në vend, raporton KTV.

Pjesëmarrjen e Haradinajt në takimin e së hënës, e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj. E dy liderët e tjerë të opozitës Visar Ymeri dhe Fatmir Limaj, që nuk arritën ta bindin kreun e AAK-së, që t’i thotë jo kësaj ftese, nuk kanë ndërruar qëndrim.

Zyrtarë të këtyre partive kanë thënë se këto takime presidentja është dashur t’i ftojë shumë kohë më parë. Në Vetëvendosje dhe Nisma, thonë se presidentja mund t’i ftojë në takim të gjithë liderët vetëm për ta caktuar datën e zgjedhjeve.

E në takimin mes liderëve politikë të Kosovës, të thirrur nga presidentja, përveç Mustafës, Thaçit e Haradinajt, do të marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka arsyetuar vendimin e tij për takimin me liderët e tjerë të pozitës, i cili do të ndodh nesër me ftesë të presidentes, Atifete Jahjaga. Përmes një deklarate publike, Haradinaj ka thënë se në takim do të kërkojë që të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi, sipas tij, për të dalë nga kriza politike.

“Po ashtu do të kërkoj që zgjedhja e presidentit të bëhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Do t’i njoftoj akterët e kësaj tryeze se opozita e bashkuar është e vendosur ta vazhdojë kundërshtimin politik e qytetar deri në përgjigje pozitive për këto kërkesa. Vlerësoj se vetizolimi i udhëheqësve opozitarë nënkupton izolim të kauzës së drejtë e opozitës, e cila duhet të depërtojë çdo kund, duke përfshirë edhe qarqet ndërkombëtare. Ndërkaq vlerësimet e individëve për qëndrimin tim dhe të AAK-së, në raport me këtë tryezë, i konsideroj ose të ngutshme, ose me agjendë. Pavarësisht prej të gjithave, AAK do të mbetet e palëkundur në frontin e përbashkët opozitar të kundërshtimit të degradimit të shtetit!”, përfundon deklarata publike e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas vendimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj që të merr pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Jahjaga, ka reaguar nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi. Ai konsideron se takimi te Presidentja është kundër protestës gjithëpopullore të 17 shkurti. Sipas tij, zgjidhja është në shesh me qytetarët, jo në zyra të mbyllura me krerët e qeverisë kuislinge. “Ky takim me Thaçin e Mustafën është shkelje e rezistencës gjashtëmujore të opozitës së bashkuar. Prandaj, ky takim është i gabueshëm për opozitën dhe i dëmshëm për Kosovën. Takimi me Thaçin e Mustafën është flirtim me ta, për t’iu ndihmuar ambicieve të tyre” ka shkruar Çaushi. Po ashtu sipas tij, takimet me ta janë afrim e bashkim me qeverisjen e tyre dhe janë në kundërshtim të plotë me tërë atë që është ndërtuar deri tash me protestën e qytetarëve, aktivistëve e deputetëve.

Instituti Demokratik i Kosovës përkrah iniciativën e Presidentes Atifete Jahjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj.

“Funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vital për funksionimin e tërësishëm të shtetit. Përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kemi bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që ta përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike. Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në komunikatën për media të KDI-së.
Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, i ka dhënë mbështetje iniciativës së presidentes Atifete Jahajaga, për t’i takuar të hënën të gjithë liderët e vendit. Lunacek, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ka shkruar se shpreson se të gjithë do t’i përgjigjen kësaj ftese.

“E mbështes iniciativën e Presidentes së Kosovës për t’i ftuar të gjithë liderët partiakë në një tryezë të përbashkët të hënën. Shpresoj që të gjithë do t’i bashkohen”, ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button