A po rikthehet Kina në radhën e shteteve të dobëta?!

Javën e kaluar, në përfundim të takimit me dyer të mbyllura të Konferencës së Punës në Qendrën Ekonomike, zyrtarët e marrëdhënieve me publikun u thanë medieve se udhëheqësit e vendit kishin dalë me një plan të qëndrueshëm për të shpëtuar ekonominë kineze.

Fatkeqësisht, ata nuk kanë tashmë një plan të tillë. Në realitet, ata vendosën të vazhdojnë me strategjitë që e shkaktuan situatën aktuale dhe dështuan të nisin rritjen ekonomike në nivele të larta.

Ashpërsia e problemeve ekonomike të Kinës dhe pamundësia për të zbatuar zgjidhje afatgjata nënkupton se pothuajse të gjitha supozimet gjeopolitike mbi të nesërmen janë të gabuara.

Pothuajse të gjithë sot e shohin Kinën si një fuqi të madhe të së ardhmes. Megjithatë, vështirësitë e jashtëzakonshme ekonomike të vendit mund të përshkallëzohen drejt një kolapsi apo një rënie ekonomike afatgjate dhe vetë gjendja aktuale sugjeron se Kina do të rikthehet në radhën e shteteve të dobëta.

Sa për fillim mund të thuhet se situata e tanishme e Kinës është shumë më e keqe sesa raporton zyrtarisht Zyra Kombëtare e Statistikave. Kjo e fundit pretendon se produkti i brendshëm bruto i vendit u rrit me 6,9 për qind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti kalendarik, pas rritjes së 7,0 për qind gjatë secilit prej dy tremujorëve të parë, shkruan Zëri.

Uillem Bajter, shef i ekonomistëve në “Citigroup”, u shpreh disa muaj më parë se norma ishte afër 4-përqindëshit dhe rritja mund të jetë shumë më e ulët në nivelin 2,2 sikurse e kanë përmendur në rrethe të ngushta zyrtarët në Pekin. Statistika të tjera konfirmojnë rritjen jashtëzakonisht të ngadaltë. Për shembull, importet, një shenjë si e tendencës së prodhimit por edhe e konsumit, ranë me 8,7 për qind në muajin nëntor në termat e dollarit, duke shënuar një rekord prej 13 muajsh rresht rënie.

Eksportet ishin poshtë 6,8-përqindëshit, muaji i pestë në rënie. Veçanërisht shqetësuese janë të dhënat mbi çmimet. Në 3-mujorin e tretë rritja nominale e PBB-së prej 6,2 për qind ishte më pak sesa rritja e raportuar zyrtarisht prej 6,9 për qind. Pra, duket se Kina ka ngecur në kurthin deflacionist të çmimeve në rënie.

Shmangia e kolapsit

Ashtu si Japonia në vitet ’90-të dhe në dekadën e parë të këtij shekulli, udhëheqësit e Kinës nuk duan të thonë se qëllimi i konferencës së sapopërfunduar ishte shmangia e ndonjë kolapsi të papritur, por duket se ky është rasti. Megjithatë, Pekini ka qenë më i sinqertë ditët e fundit. Një zyrtar i lartë kinez ka pranuar për “Wall Street Jurnal” se normat e rritjes do të duan kohë që të rikthehen në nivelet e mëparshme.

Teknokratët kinezë e shohin konsumin si shpëtimtar për ekonominë. Tregues të tillë si të ardhurat e shitjeve për korporata, si dhe nga produktet e konsumit, japin një tablo anemike të rritjes së shpenzimeve në Kinë. Në të njëjtën kohë, prodhimi, zemra e ekonomisë për dekada të tëra, duket se po rrudhet shpejt, ndërsa rritja e shërbimeve, pavarësisht shifrave zyrtare, është e ulët.

Të dyja këto zhvillime kanë implikime tek konsumi. Në Kinë konsumi ka qenë rezultat i rritjes, jo shkaku i saj dhe nuk ka gjasa që shpenzimet mund të fuqizojnë ekonominë në vetvete për një kohë të gjatë. Teknokratët e Pekinit thonë se vëzhguesit nuk duhet të shqetësohen nga situata e përgjithshme. Dhe problemi është përkeqësuar me kalimin e kohës. Efikasiteti i investimeve është i rëndësishëm, pasi bonot e reja duhet që përfundimisht të paguhen.

Pra Pekini në fakt po e ble rritjen ekonomike, duke e përkeqësuar më tej problemin e borxhit të saj të stërmadh. Po, ndërtimi i një “qyteti fantazmë” i shton pikë produktit të brendshëm bruto gjatë ndërtimit, por një projekt i tillë vetëm sa e zhyt ekonominë më poshtë, që në momentin kur punëtorët mbledhin plaçkat e tyre dhe largohen.

Së dyti, stimujt e Pekinit nuk kanë funksionuar prej më shumë se një viti. Për shembull, 6 reduktimet në normat e interesit që nga nëntori i vitit të kaluar dhe 5 reduktime të rezervave bankare që nga shkurti 2015, nuk kanë pasur ndonjë efekt të dukshëm.

Joproduktivë

Këta stimuj monetarë kanë qenë joproduktivë, për shkak se ka pasur një mungesë të kërkesës për para. Dhe e njëjta mund të thuhet edhe për stimujt fiskalë. Shpenzimet fiskale, një masë e mirë e përpjekjeve të përgjithshme stimuluese të qeverisë, janë rritur nga muaji në muaj, duke arritur shifra fantastike, deri në 25,9 për qind në muajin gusht, 26,9 në shtator, 36,1 në tetor dhe 25, 9 për qind muajin e kaluar. Për njëmbëdhjetë muajt e parë shpenzime të tilla u rritën me 18,9 për qind, ndërsa të ardhurat janë rritur me vetëm 8 për qind.

Tashmë ekonomia kineze është shumë e brishtë për të përballuar ndryshimet që do të rezultonin nga reformat strukturore, të cilat janë të nevojshme për ekspansionin ekonomik afatgjatë. Shumica e analistëve mendojnë se Kina do të dominojë sistemin ndërkombëtar për pjesën tjetër të këtij shekulli.

Megjithatë, nëse rënia e ekonomisë shndërrohet në një krizë financiare apo në një periudhë të gjatë recesioni, diplomatët në Pekin shumë shpejt s’do të jenë në gjendje të kryejnë investimet e premtuara jashtë vendit për të përmbushur angazhimet e shumta në kuadër të synimit për të blerë ndikim gjeopolitik për një regjim, që nuk mund të eksportojë dot idealet e veta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button