Gazetaria është në anën e njerëzve, s’mund të dalë kundër tyre!

[Recension: “Gjysma e Haraçinës në këmbë për Zaevin, shqiptarët turpërohen”]

Është e “frikshme” të shohësh që një media tashmë nuk i sulet vetëm oponentit të partisë që përkrah, por edhe qytetarëve që kanë bindje të ndryshme nga e saja. Në pamundësi për të goditur fuqishëm me fakte, dëshmi dhe hulumtime veprimet e një subjekti politik që i konsideron jo të drejta, media sulet ashpër drejtë qytetarëve që përkrahin këtë parti politike. Ky “sulm” konsiston në fyerje dhe degradime të masës si në rastin konkret.

Zhurnal Gjysma e Haracines ne kembe per Zaevin, shqiptaret turperohen 1Linku deri te artikulli original: “Gjysma e Haraçinës në këmbë për Zaevin, shqiptarët turpërohen”

Data dhe koha e publikimit: 28.01.2016, 10:36

Data e recensionit: 01.02.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Lajmi mbi vizitën e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev në Haraçinë u përcoll me kritika. Asnjë qytetar nuk ka shkuar në tubim me idenë për ta shpallur Zaevin “një figurë të madhe të popullit shqiptar”. “Zhurnal” e thotë këtë për të ironizuar me prezencën e të gjithë atyre qytetarëve që kanë qenë pjesëmarrës. Autori në titull thotë se të gjithë shqiptarët ndihen të turpëruar nga pritja që i bënë këto qytetarë Zoran Zaevit. Si e mori vesh autori turpin që ndjenë shqiptarët, e din veç ai.

“Në një atmosferë festive, dhe duartrokitje frenetike u prit Zoran Zaev si një figurë e madhe e popullit shqiptarë.”

Por, prit thotë gazetari se kemi zbuluar diçka tjetër. Këto qytetarë që kanë qenë të pranishëm atje, nuk kanë qenë cilëtdo, por ish simpatizantë të PDSH-së. Jo më kot ai lidh LSDM-në me PDSH-në. Ai më poshtë bën disa akuza të tjera dhe në këtë mënyrë, me një gur, vret dy zogj.

“Jo zyrtarisht Zhurnal mëson se pjesa dërmuese të cilët e mirëpritën Zaevin kanë qenë ish strukturë e Partisë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Menduh Thaçi.”

Analistët fiktivë gjithmonë shfrytëzohen për të nxjerrë nga situata autorë tekstesh të këtilla.

“Ndryshe LSDM-ja, nga një pjesë e madhe e analistëve shqiptarë vlerësohet se është një parti e cila i ka të përlyera duart me gjakun e shqiptarëve.”

Natyrisht që analistë nuk ka sepse asnjë person i përgjegjshëm nuk do të guxonte të bënte një akuzë të këtillë për të cilën, nëse nuk ke fakte, mund të ndiqesh ligjërisht. Pastaj, si për t’ju thënë të pranishmëve në tubim, “O tradhtarë, shikoni kush është LSDM-ja”, autori numëron:

“…shqiptarët ende i kanë të freskëta në kujtime ngjarjet në Gostivarë në vitin 1997, në Ladorisht të Strugës, Bit Pazar, madje edhe në fshatin Haraçinë ku eskavatorët e Branko Cërvenkovskit me projektin për të rrëzuar gardhet e shtëpive (avlive), nga goditja me eskavatorë shkaktoi vdekjen e një banori shqiptarë të Haraçinës. Kjo ngjarje tragjike ka ndodhur në kohën e Cërvenkovskit në vitet 1993-95. Tragjikisht humbi jetën prindi i një profesori shqiptarë nga Haraçina.Ndryshe Zoran Zaev prej fillimit të publikimit të bombave gjatë gjithë kohes mbajti në peng shqiptarët e Maqedonisë dhe luante me ndjenjat e familjarëve të cilët anëtarët e tyre më të dashur plotë më shumë se tre vite i kanë në burgun e Idrizovës për rastin famëkeq “MONSTRA”, ku shqiptarë të pafajshëm vuajn dënimin.”

Të gjitha rastet e lartpërmendura janë shumë të ndjeshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe një gazetar profesionist mund të kishte zgjedhur forma të tjera për të trajtuar rastet kur vlerëson se politikisht LSDM-ja është treguar e padrejtë ndaj shqiptarëve. E para, analistët dhe ekspertët duhet të ishin vërtetë pjesë e tekstit dhe të flisnin me objektivitet mbi këto ngjarje. E dyta, të shfrytëzoheshin të dhënat historike për ngjarjet e të kaluarës, rrethanat në të cilat kanë ndodhur, arsyet dhe si kanë përfunduar, kush ka pësuar dhe kush është dënuar për ato raste. Dhe e fundit, është shumë e rëndësishme të thuhet se materialet e përgjuara për rastin “Monstra” nuk janë temë e mbyllur por me to po merret prokuroria speciale.

Detyrim i gazetarit dhe medias është që t’i mbrojë individët dhe grupet nga padrejtësia dhe diskriminimi të kryera nga organet publike dhe institucionet, nga ndërmarrjet private ose nga çdokush qoftë tjetër.

Kodi etike dhe pofesional i gazetarëve u imponon përgjegjësi të veçantë për fjalën e thënë publike. Qëndrimet e tyre janë faktor të rëndësishëm në formësimin e mendimit publik për shkak se gjuha e urretjes është e padenjë për etikën e gazetarit.

I punuar sipas këtyre parimeve, ndoshta produkti gazetaresk do të dilte shumë më i gjatë dhe natyrisht që do të kërkonte më shumë punë. Por atëherë autori nuk do të kishte bërë një punë tendencioze duke duke mos fyer askë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button