‘Telegraph’: SHBA vinin bast për armët kimike në Shqipëri

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka aprovuar udhërrëfyesin për shkatërrimin e rezervave të armëve kimike siriane deri në mes të vitit të ardhshëm. Në detajet e planit nuk përfshihet Shqipëria, e cila shihej nga komuniteti ndërkombëtar si “shpresa” më e madhe mes vendeve të kontaktuara nga Uashingtoni, që do të pranonte rezervat kimike.

Takimi i Këshillit Ekzekutiv të ONAK, që nisi të premten në mëngjes, u pezullua disa orë në pritje të vendimit të qeverisë shqiptare mbi marrjen përsipër ose jo të shkatërrimit të rezervave kimike siriane (1300 tonë), brenda territorit të vendit. Nëse Shqipëria do të pranonte, atëherë ajo do të përfshihej në detajet e planit të ONAK, me itinerarin e transportit dhe lokacionet e eliminimit të kimikateve. Por përgjigjja “jo” e Shqipërisë e la planin “të çalë”, pa një vend të përcaktuar për shkatërrimin e rezervave kimike, një proces që duhet të përfundojë deri në fund të qershorit.

Procesi është konsideruar nga Këshilli Ekzekutiv i ONAK si sfida më e madhe për këtë përpjekje ndërkombëtare. Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Xhen Psaki, u përpoq të minimizojë vendimin e Shqipërisë duke thënë se disa vende të tjera “po konsiderojnë me seriozitet… bartjen e përpjekjeve të shkatërrimit”. Ajo nuk i identifikoi keto vende, por tha se SHBA-të presin që afatet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë do të përmbushen me gjithë refuzimin e Shqipërisë. Sipas së përditshmes britanike “The Telegraph”, një burim afër negociatave ka deklaruar se Uashingtoni vinte bast për bashkëpunimin e Shqipërisë.

Plani i miratuar nga ONAK kërkon që kimikatet më të rrezikshme të transportohen jashtë Sirisë deri më 31 dhjetor, ndërsa largimi i të gjitha substancave kimike të deklaruara dhe prekursorëve, me përjashtim të isopropanolit, një nga dy elementet kryesore për prodhimin e sarinës (përdoret si tretës), të nxirren jashtë Sirisë jo më vonë se 5 shkurti. Sipas planit, objektet e armëve kimike siriane do të shkatërrohen gradualisht ndërmjet 15 dhjetorit dhe 15 marsit, ndërsa shkatërrimi i armëve kryesore kimike do të përmbushet jashtë Sirisë, deri më 31 mars. Të gjitha materialet e deklaruara kimike duhet të eliminohen deri më 30 qershor.

“Plani siguron një udhërrëfyes të qartë. Ai vendos themele ambicioze që duhet të përmbushen nga qeveria”, tha drejtori i Përgjithshëm i ONAK, Ahmet Uzumcu. “Kjo fazë do të jetë më sfiduesja dhe zbatimi në kohë i saj do të kërkojë ekzistencën e një ambienti të sigurt për verifikimin dhe transportin e armëve kimike”. Ai shtoi se “vazhdimësia e mbështetjes dhe asistencës ndërkombëtare për këtë mision përpjekjeje do të mbetet kritike”.

Ende po punohet për të gjetur mënyrën se si kimikatet e armëve do të transportohen në mënyrë të sigurt nëpër territorin e rrezikshëm sirian drejt një porti në Sirinë veriore, që të dërgohen në rrugë detare jashtë këtij vendi. Sapo kimikatet të dalin të sigurta jashtë Sirisë, ato do të mund të shkatërrohen në një afat të shkurtër, por diplomatët janë të shqetësuar se ata mund të shënjestrohen nga militantë apo të vidhen dhe të shiten në tregun e zi.

Lajme të ngjashme

Back to top button