Rivotimi në veri, masa të rrepta sigurie

Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i paralajmërojnë masa të shtuara sigurie për të krijuar mbarëvajtje të zgjedhjeve në tri qendra të votimit në pjesën veriore të Mitrovicës, këtë të diel.

Përsëritja e votimeve në këto tri qendra, vjen si pasojë e dhunës që ishte ushtruar nga një grup njerëzish më 3 nëntor që kishte sjellë deri te mbyllja e parakohshme e tyre. Andaj, më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim që votimet në këto 3 qendra të përsëriten më 17 nëntor, transmeton Panorama.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka tashmë një plan operativ, i cili do të zbatohet për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë procesit të rivotimeve në këto qendra në Mitrovicën veriore.

“Policia e Kosovës do të jetë e kyçur dhe e përgatitur për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend që do të nënkuptojë para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve”.

“Pra, do të bëhet sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale dhe zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numrit dhe depos qendrore deri në përfundim të numërimit të votave. Po ashtu, do të bëhet edhe përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara deri në përfundim të këtij operacioni”, ka thënë Kelani.

Masat e shtuara të sigurisë, po ndërmerren në koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.

Lajme të ngjashme

Back to top button