Sikur ta zinim trenin

Shumë zhurmë për asgjë. Shumë debate po ngrihen lidhur me çështje teknike që nuk janë të rëndësishme për ekzistencën e këtij shteti dhe për mirëqenien e popullit që jeton në të. Siç e kam shkruar në shkrimet e mia të fundit, mungesa e debatit qenësor tek ne është çoroditëse. Demagogjia e gjoja debatuesve (thënë më mirë – trumpetuesve të këtyre teknikaliteteve partiake) është shqetësuese. Akoma më shqetësues është fakti që ne po i ndjekim, sepse mediumet po i servojnë si cështje qenësore dhe tepër të rëndësishme. Bile shqetësohet edhe komisioneri i BE-së me vizita të shpeshtuara në Maqedoni për t’u marrë me këto. Ndërkaq askush nuk flet për atë se cka pas? Cka do të ndodhë pas zgjedhjeve të prillit.

Besoj që secili që mendon shëndoshëështë në gjendje të kuptojë që zgjedhet janë një teknikalitet dhe me pajtohem plotësisht. Por ajo që nuk duhet të harrojmëështë që zgjedhjet duhet të sjellin zgjidhje. Por jo zgjidhje të teknikaliteteve zgjedhore, por zgjidhje të cështjeve madhore, zgjidhje të problemeve dhe mungesave në këtë shtet. Në to elektorati duhet të japë besimin njërës apo tjetrës parti në programet dhe projektet e së cilës beson më së shumti, të lindura nga idetë dhe idealet e vetë partisë dhe qëllimeve të një shteti kundrejt popullit të vet. Dhe askund këto diskutime dhe këto debate nuk po shtrohen. Ndoshta e presim kampanjën zgjedhore, ndoshta partitë akoma po i hartojnë programet dhe po i shkruajnë projektet. Kjo e fundit është ajo që më shqetëson akoma më shumë. Nëse në moment të fundit, partiakët do të duhet të hartojnë idetë dhe programet për një mirëqenie më të madhe atëherë druaj që do ta humbin trenin.

Dhe me neglizhencën e tyre, edhe neve do ta humbim trenin. Atë trenin që con në një shtet më stabil, me politikanë më të përgjegjshëm, që luftojnë për mirëqenien e popullit dhe që kuptojnë që barazia mes popujve në një shtet nuk mund të jetë aspak në detriment të asnjërës prej tyre vec e vec por vetëm në dobi të të mirës së përgjithshme. Nëse e humbim këtë tren, shumë druaj që do na duhet të zëvendosojmë refugjatët sirianë dhe afganistanas nëpër trenat që shkojnë për në Evropë. Që vetë do të bëhemi azilantë e refugjatë nëpër kampet e Evropës. Shumë druaj që na prin një e ardhme akoma më e zymtë, ku do ta gjejmë veten më të shtypur dhe më të pashpresë.

Ardhmëria e këtij vendi, e njerëzve që jetojnë në të nuk varet nga ajo se si do të pastrohen listat zgjedhore as nga data e mbajtjes së zgjedhjeve. Sepse ata që do të duan të manipulojnë zgjedhjet do të gjejnë mënyrën për ta bërë këtë. Sepse njerëz në nevoja ka sa të duash, në nevojëtë një 50 EURoshe, një thasi miell, apo një punësimi në administratën shtetërore. Ardhmëria e këti vendi dhe neve që jetojmë këtu varet nga ajo se a do të dijmë të kërkojmë nga përfaqësuesit e ardhshëm politikë një përgjegjësi më të madhe dhe një stabilitet më të madh ekonomik. Ky është momenti jonë, jo i politikanëve dhe brockullave të tyre, retorikës dhe demagogjisë ta pafundme në të cilën na kanë zhytur këto 25 vitet e fundit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button