Puna e DSK-së nuk mbikqyret duke pirë kafe në zyra!

Të a.q. “bombat e opozitës” kanë hapur shumë dyshime mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Dyshimet kanë nxitur formimin e një Komisioni kuvendor për ta mbikqyrur punën e DSK-së, me qëllim për t’u mos u përsëritur afera si ajo e përgjimeve dhe të zbardhen çështje enigmatike të interesit të përgjithshëm, raporton Portalb.

Zylfi Adili, deputet dhe nënkryetar i partisë Uniteti në një prononcim për redaksinë tonë ka sqaruar punën e Komisionit për mbikqyrje të DSK-së, pjesë e të cilit është edhe vet ai.

“Prej kur është krijuar Komisioni anketues për përgjimet, Komisioni për mbikqyrjen e punës së DSK-së ka mbetur nën hije nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. Para formimit të kësaj të fundit Komisioni për mbikqyrje ka qenë aktiv dhe ka mbajtur mbledhje. Aty kam ngre edhe çështjen më të rëndësishme, çështjen e Kumanovës  dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me problemet e shqiptarëve. Megjithatë përgjigje nuk kam marr ende”, ka thënë për Portalb Adili.

Ai mëtutje thekson se në kuadër të Komisionit për mbikqyrje të punës së DSK-së është realizuar vetëm një vizitë në zyrat e DSK-së.

“Unë mendoj se nuk është me rëndësi të shkohet vetëm në një sallë të DSK-së, të ulësh aty, të sjellin një kafe, një muhabet të shkurtër dhe kaq. Idea e kontrollit të DSK-së nuk është kjo, por qëllimi është zgjidhja e çështjeve”, përfundon Adili.

Deputeti i BDI-së, njëherit edhe zëvendës anëtar në Komisionin për mbikqyrjen e DSK-së, Rafiz Haliti vlerëson se Komisionet kuvendore nuk kanë  rezultate konkrete sepse deputetët nuk kanë të dhëna burimore.

“Deputetët janë të hendikepuar në këto raste. Institucionet kompetente japin informacione që mendojnë që duhet t’i jepen deputetëve”, deklaroi për Portalb Haliti.

Në pyetjen tonë se sa mund të jenë efikase vizitat në zyrat e DSK-së, Haliti me përgjigje:

“Unë mendojë që duhet të ndodhë e kundërta, jo deputetët të vizitojnë zyrat e Drejtorisë  për Siguri dhe Kundërzbulim por ata të vijnë në Kuvend me të dhëna konkrete dhe t’u përgjigjen deputetëve në Komision. Ne kemi vizituar zyrat e DSK-së atje kemi ngre shumë çështje. Janë parashtruar pyetje edhe në lidhje me Kumanovën dhe rastet tjera”, ka theksuar Haliti duke shtuar se për të dal me të me të dhëna konkrete në Komision duhen përgjigje kualitative dhe korrekte nga institucionet përkatëse.

Kujtojmë se në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos është diskutuar edhe çështja e transparencës së DSK-së dhe është kërkuar që ky institucion të jetë më transparent dhe të bartë përgjegjësi. Dhe si rezultat, u paraqit nevoja e formimit të Komisionit anketes për aferën e përgjimeve, por edhe ky Komision dështoi si pasojë e inateve politike të vetë katër partive nënshkruese të Përzhinos./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button