Jotransparenca pas Përzhinos zbeh demokracinë në vend

Zhvillimi i dialogut politik në Maqedoni, i inicuar nga Marrëveshja e Përzhinos, nën presionin ndërkombëtar, nuk arriti të forcojë demokracinë në vend, por pati efekt negativ. Partitë politike negociuese, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH nuk ishin transparente në raportimin e tyre rreth bisedimeve brenda dyerve të Klubit të deputetëve. Në këtë mënyrë ata janë duke u dhënë hapësirë spekulimeve dhe spineve të dalura nga media në shërbim të partive apo të vet partive, komentojnë për Portalb njohësit e zhvillime politike në vend.

Mbi këtë fenoment për Portalb kanë folur publicisti Iljasa Salihu dhe politologu Deniz Memedi. Sipas tyre, mënyra e zhvillimit të bisedimeve dëshmon se brenda dyerve të mbyllura janë biseduar gjëra në interes të tyre dhe jo të qytetarëve. Një qasje më transparente e partive do t’i ndihmonte edhe vet procesit negociues.

“Politikanët tanë fshihen prej popullit dhe pastaj habitshëm po prej popullit e kërkojnë besimin. Këta bisedojnë dhe merren vesh ndërmjet veti në mënyrë të fshehtë që sa më lehtësisht t’ia grabisin besimin popullit. Nuk kanë të drejtë të njoftohen qytetarët me planet e tyre djallëzore, ngaqë mandej joshja e tyre si votues nuk do të jetë e lehtë. Me vetë faktin se bisedimet në Përzhino u zhvilluan me dyer të mbyllura flet se janë biseduar gjëra që janë në interes të biseduesve dhe jo të qytetarëve. Po të kishte qenë e kundërta, njëmend nuk kishin pasur nevojë dhe asnjë arsye të fshiheshin prej qytetarëve, gjegjësisht prej syve të qytetarëve – mediumeve”, shprehet për Portalb Salihu.

“Fundi fundit, era e mykut të atyre bisedimeve tashmë ka filluar të ndihet edhe prej qytetarëve. Si çdo marrëveshje në Maqedoni që nuk kishte dhënë rezultate të plota dhe të shëndosha, edhe kjo me gjasë do të jetë e përcaktuar të hidhet në një skaj të pluhurosur të zyrës në qeveri”, përfundoi ai.

Politologu Deniz Memedi vlerëson se mostransparenca e partive politike negociuese në Përzhino jep hapësire për spekulime por edhe në përmasa të skajshme për konspiracione të ndryshme. Sipas tij, kjo më së miri po vërehet në emisionet debative politike, nëpër televizionet e ndryshme.

“Mendoj se do të ishte shumë më konstruktive që për çdo vendim nga bisedimet që po i vazhdojnë partitë politike edhe më tutje, të jenë të hapur, sidomos për mediat të cilët janë përcjellësit e parë të informacioneve deri tek opinioni i gjerë. Pikërisht mbajtja e negociatave në formë të konservuar, po hapë edhe dyshimin se pikërishtë qëllimi është të defokusohet opinioni, të krijohet huti dhe deri në momentin e fundit të mbahen gjithë penge rreth asaj se ҫ’farë po ndodhë. Qasja transparente në asnjë moment nuk do ta dëmtojë procesin negociues, përkundrazi mundë të evitojë keqkuptimet dhe spekulimet eventuale që edhe qëllimisht mundë të bëhen dhe atëherë mundë të vijë deri te dëmtimi i procesit të bisedimeve”, tha për Portalb Memedi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button