Blushi: PS po trajtohet si biznes, privatizimi i partisë i papranueshëm

Deputeti socialist Ben Blushi ka qenë mjaft i ashpër ndaj Partisë Socialiste, duke e cilësuar si të vetmen parti me kryetar pa mandat.

Ai tha se shpreson shumë që të ketë një kongres pasi ka mungesë zgjedhjesh. Ai shtoi se fakti që nuk ka një kongres u bë tema si një kometë që nuk dihet se kur do të bjerë, dhe është bërë e paditur nëse ndodh tani apo më vonë.

Blushi deklaroi se Partia Socialiste është në një moment kritik dhe se duhet të marrë një drejtim, pasi ekonomia është në gjendje të keqe, papunësia është rritur, reforma në drejtësi më e diskutuara e kësaj kohe duhet të marrë drejtimin e duhur.

Duke folur sot nga selia rozë në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ai tha se PS është në një moment kritik, dhe se një parti që nuk bën zgjedhje ka raport të vështirë me veten dhe ata që e kanë zgjedhur.

Blushi deklaroi se ka zona në Shqipëri sot, ku deputetë të PS, shkojnë dhe emërojnë pa zgjedhje, kush do marrë pjesë në kongres, kush do bëhet kryetar partie etj.

“Ata mendojnë se mandati nuk përfundon. Por edhe në Partinë e Punës mandati ishte i kufizuar. Nuk është koha që PS të jepet me koncesion, po trajtohet si biznes privat. PS nuk është biznes privat. Momenti është kritik edhe për ekonominë, ka ardhur koha që PS të ngrihet dhe të marrë drejtim”, u shpreh Blushi.

Pyetjes së gazetarëve për zgjedhje të parakohshme, ai ju përgjigj duke thënë se nuk beson se ka ardhur koha.

Sa i takon ndryshimeve në qeveri, ligjvënësi i PS, tha se është shpejt për të folur.

Ai bëri me dije se sot pati një anëtar të grupit parlamentar që kërkoi analizë të qeverisë, siç pati dhe njerëz që kërkuan të ketë kongres dhe zgjedhje.

Sipas tij, partitë funksionojnë mbi statut, ku thuhet se zgjedhjet bëhet një herë në 4 vjet, por se në PS ka që nga viti 2009 që nuk janë mbajtur, dhe se PS ka 7 vjet pa zgjedhje, pa kryetar dhe pa kongres.

“Nuk jam i vetmi që mendoj kështu, kjo parti është mësuar të zgjedhë nga viti 1991 e këtej. Privatizimi i partisë është i papranueshëm. Kush qeveris rilindja apo PS? Fatkeqësisht ka qeverisur rilindja, duhet të qeverisë PS. Nuk mund të ketë parti pa zgjedhje, statut, kryetar e kongres”, tha ai.

I pyetur nëse do kandidojë për kryetar partie, Blushi deklaroi se nëse do ketë zgjedhje do e thotë publikisht, por sipas tij e rëndësishme është që të ketë zgjedhje, transmeton NOA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button