Maqedoni: Lodrat, me cilësi të dyshimtë

Organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve në Maqedoni, tregojnë se është gjithnjë e ma i madh numri i ankesave të qytetarëve sa i përket cilësisë së lodrave për fëmijë, shkruan Rel.

Marjana Llonçar, drejtuese e Shoqatës për mbrojtje ne konsumatorëve, për Radion Evropa e Lirë, thotë se një pjesë e konsiderueshme e lodrave që gjenden në tregun e Maqedonisë, shiten pa asnjë të dhënë për përmbajtjen kimike të materialit prej të cilit përbëhen, duke paraqitur kështurrezikshmëri të lartë për fëmijët.

“Deri te ne kanë arritur shumë vërejtje nga ana e konsumatorëve, të cilat vërejtje i adresuam në Inspektoratin shtetëror të tregtisë. Ajo për çka ankohen kryesisht qytetarët, ka të bëjë me atë se në të shumtën e rasteve deklarimi për përmbajtjen e materialit të lodrave, nuk është në gjuhën maqedonase, madje ai duhej të ishte në atë shqipe”.

“Është shumë me rëndësi të theksohet se në bazë të cilave kemikalieve është ngjyra e lodrave, sepse e dini fëmijët e moshës nën tre vjeç, gjatë lojës pjesën më të madhe të lodrave e fusin në gojë”, deklaron Llonçar për Radion Evropa e Lirë.

Ajo nënvizon se kontrollet duhet të jenë më të shpeshta dhe dënimet duhet të jenë më rigoroze, sidomos kur bëhet fjalë për lodrat dhe veshmbathjen për fëmijë, sepse, siç shprehet ajo, në një kohë të fushatave të egra mediatike dhe krizës ekonomike, në anën tjetër, prindërit detyrohen që fëmijëve të tyre t’u blejnë kopje të këqija të lodrave, pavarësisht rrezikut që i ekspozojnë.

Por, nga Inspektorati shtetëror i tregut kanë theksuar se në vazhdimësi bëhen kontrolle në teren.

“Ne i kontrollojmë, në aspektin mekanik, lodrat për fëmijë, që janë prezent në tregun e Maqedonisë, përkatësisht inspektojmë formën dhe dimensionet e lodrave, kryesisht për lodrat të cilat janë të dedikuara për fëmijët e moshës nën trevjeçare, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë më të ndjeshme si konsumatorë”.

“Kjo, sepse në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorin lodra, të cilat nuk janë për moshën e tyre, ngase ata nuk janë të vetëdijshëm për pasojat. Pra, gjatë inspektimit tonë, në disa dyqane, ku janë vërejtur parregullsi, këto prodhime janë larguar nga shitja”, ka deklaruar drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Maqedoni, Viktor Dermenxhiev.

Ndryshe, nëse specifikimet për lodrat e caktuara janë me përmbajtje të rrejshme, atëherë gjobat sillen nga 200 deri në 400 euro, por nëse në dyqane gjenden prodhime, përkatësisht lodra të cilat fare nuk janë të regjistruara, në atë rast, pos dënimeve në të holla, tregtarëve u konfiskohet edhe malli.

Igballe Preshova nga Shoqata e grave “Nëna dhe fëmija” në Tetovë, konsideron se shteti duhet të bëjë inspektim që në Doganë nëse vërtet dëshirohet që në duart e fëmijëve të mos ketë lodra me përmbajtje të dyshimtë të materialit nga i cili janë punuar.

Si dukuri shqetësuese Peshova konsideron blerjen nëpërmjet internetit, ku në faqe të caktuara në Maqedoni, mund të blihen lodra, të cilat janë të ndaluara për tregun e vendeve të Evropës.

“Në Maqedoni mungojnë standardet se cilat lodra duhet të hyjnë në shtet dhe cilat jo. Pra, te ne funksionale janë faqet e internetit, të cilat në tregun e vendeve të Bashkimit Evropian janë të ndaluara pikërisht, sepse lodrat përmbajnë shumë materiale toksike dhe nuk i plotësojnë standardet për siguri”.

“Madje, më e keqja është se ato lodra në dyqane të caktuara i shohim të ekspozuara edhe në raftet e tyre. Pra, vërejtja jonë ka të bëjë me atë se nuk respektohen standardet për kualitetin e lodrave, madje mungon dhe deklarimi në vetë lodrat sa i përket konformitetit të lodrave që është standard për vendet evropiane”, thekson Preshova.

Ndërkohë, që organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ata që përfaqësojnë interesat e fëmijëve, ankohen se shteti shumë pak ose thuajse aspak nuk është transparent sa i përket informacioneve se “çfarë procedurash janë ndjekur për evidentimin dhe sekuestrimin e lodrave “të rrezikshme” në tregun e Maqedonisë, nga Inspektorati Shtetëror për Tregti thonë se kontrollet janë të vazhdueshme. Ky inspektorat njofton se gjatë vitit 2015 janë sekuestruar mbi 1 mijë copë lodra për fëmijë në disa dyqane nëpër Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button