Aksion për dhurimin e gjakut në Komunën e Bogovinës
![](https://i1.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2016/01/12637249_10208850772051438_872143178_o.jpg?fit=960%2C1280&ssl=1)
Sot në Komunën e Bogovinës u organizua aksioni tradicional për dhurimin vullnetar të gjakut.
Organizatorë të këtij aksioni janë Jusuf Ajredini dhe Shaqir Zulbeari.
Për Portalb, ata thonë se ky aksion ka për qëllim sensibilizimin e popullatës për të ndihmuar ata që kanë nevojë për gjak.
“Ky është një aksion tani më tradicional që organizohet në Bogovinë. Me këtë akt të gjithë dhuruesit tregojnë humanitetin e tyre njerëzor”, theksojnë dy organizatorët.
“Ky aksion bëhet në bashkëpunim me Kryqin e Kuqë të Tetovës dhe shërbimin e transfuziologjisë. Normalisht ne jemi shumë të kënaqur me hapësirën ku jemi vendosur në shkollën fillore ‘Abdyl Frashëri’ dhe ju falënderohemi të gjithëve që dhurojnë gjak”, tha Dr. Samet Ademi për Portalb.
![Foto nga aksioni i sotëm i dhurimit të gjakut, Bogovinë](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2016/01/12631111_10208850771931435_200224427_o-300x225.jpg?resize=708%2C531)
Duhet përmendur se në këtë aksion tani më tradicional dhurues të gjakut janë vetëm personat e shëndoshë prej moshës 18-65 vjeçare, ndërsa gjaku shërben për nevojat e pacientëve që janë të shtrirë në spitalin e Tetovës.
Për Portalb numri më i madh i dhuruesve të gjakut pohojnë se këtë e bëjnë për tu ndihmuar atyre që kanë nevojë.
Bari Denjalli – dhurues gjaku në aksionin e sotëm, mendon se duhet pasur më shumë aksione të këtilla. “Me vullnet të madh isha pjesë e këtij aksioni sepse ka njerëz që kanë nevojë”, thotë Denjalli për Portalb.
“Përveç se u ndihmon të tjerëve, pjesa e gjakut të dhënë kompensohet për disa ditë”, thotë Amir Ajdini.
Në mesin e dhuruesve të gjakut kishte edhe persona të moshuar. Njëri ndër to ishte edhe dhuruesi i rregullt i gjakut 60 vjeçari Taip Denjalli, i cili për Portalb theksoi se deri më tani ka dhënë mbi 15 herë gjak.
“Është ndjenjë shumë e mirë dhurimi i gjakut, e bëj me kënaqësinë më të madhe”, shprehet shkurt Denjalli.
“Ka njerëz që kanë nevojë, jap gjak çdo tre muaj”, thotë Nagip Abazi, – njëri ndër dhuruesit më të rregullt të gjakut në Komunën e Bogovinës.
Ndryshe, aksioni të cilin e organizuan po të njëjtit organizatorë, vitin e kaluar theu rekordin në nivel të qytetit të Tetovës ku pati 76 dhurues vullnetar të gjakut.