Aksion për dhurimin e gjakut në Komunën e Bogovinës

Sot në Komunën e Bogovinës u organizua aksioni tradicional për dhurimin vullnetar të gjakut.

Organizatorë të këtij aksioni janë Jusuf Ajredini dhe Shaqir Zulbeari.
Për Portalb, ata thonë se ky aksion ka për qëllim sensibilizimin e popullatës për të ndihmuar ata që kanë nevojë për gjak.

Ky është një aksion tani më tradicional që organizohet në Bogovinë. Me këtë akt të gjithë dhuruesit tregojnë humanitetin e tyre njerëzor”, theksojnë dy organizatorët.

“Ky aksion bëhet në bashkëpunim me Kryqin e Kuqë të Tetovës dhe shërbimin e transfuziologjisë. Normalisht ne jemi shumë të kënaqur me hapësirën ku jemi vendosur në shkollën fillore ‘Abdyl Frashëri’ dhe ju falënderohemi të gjithëve që dhurojnë gjak”, tha  Dr. Samet Ademi për Portalb.

Foto nga aksioni i sotëm i dhurimit të gjakut, Bogovinë
Foto nga aksioni i sotëm i dhurimit të gjakut, Bogovinë

Duhet përmendur se në këtë aksion tani më tradicional dhurues të gjakut janë vetëm personat e shëndoshë prej moshës 18-65 vjeçare, ndërsa gjaku shërben për nevojat e pacientëve që janë të shtrirë në spitalin e Tetovës.

Për Portalb numri më i madh i dhuruesve të gjakut pohojnë se këtë e bëjnë për tu ndihmuar atyre që kanë nevojë.

Bari Denjalli – dhurues gjaku në aksionin e sotëm, mendon se duhet pasur më shumë aksione të këtilla. “Me vullnet të madh isha pjesë e këtij aksioni sepse ka njerëz që kanë nevojë”, thotë Denjalli për Portalb.

“Përveç se u ndihmon të tjerëve, pjesa e gjakut të dhënë kompensohet për disa ditë”, thotë Amir Ajdini.

Në mesin e dhuruesve të gjakut kishte edhe persona të moshuar. Njëri ndër to ishte edhe dhuruesi i rregullt i gjakut 60 vjeçari Taip Denjalli, i cili për Portalb theksoi se deri më tani ka dhënë mbi 15 herë gjak.
“Është ndjenjë shumë e mirë dhurimi i gjakut, e bëj me kënaqësinë më të madhe”, shprehet shkurt Denjalli.

“Ka njerëz që kanë nevojë, jap gjak çdo tre muaj”, thotë Nagip Abazi, – njëri ndër dhuruesit më të rregullt të gjakut në Komunën e Bogovinës.

Ndryshe, aksioni të cilin e organizuan po të njëjtit organizatorë, vitin e kaluar theu rekordin në nivel të qytetit të Tetovës ku pati 76  dhurues vullnetar të gjakut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button