Shkup, promovohet libri “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”
Sot në Shkup u promovua libri “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, me materiale nga konferenca shkencore mbajtur më 5 qershor 2015 në Prishtinë.
Në të vërtetë, ky projekt ishte fryt i bashkëpunimit në mes të Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, Institutit të Historisë – Tiranë, dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Promovimin e përshëndeti pinjolli i familjes së Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili theksoi rëndësinë e madhe të këtij libri për historiografinë shqiptare.
Edhe kryetari i Komunës Saraj të Shkupit, Bekim Murati, u shpreh i entuziazmuar, që ngritjes së shtatores së Isa Boletinit në Saraj, i parapriu ky përurim libri për figurën e heroit të madh popullor Isa Boletini.
Më tej, rreth rëndësisë së konferencës shkencore dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, folën drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, Sabit Syla, dhe drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, të cilët çmuan lartë figurën e Isa Boletinit dhe këtë përmbledhje me materiale shkencore historike.
Ndërsa, më hollësisht rreth përmbajtës së librit, folën Sabile Keçmezi-Basha nga Instituti i Historisë së Prishtinës, dhe Sevdail Demiri nga ITSHKSH-Shkup.
Në këtë libër me mbi 360 faqe, janë botuar kumtesat shkencore të 24 studiuesve të njohur shqiptarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, duke e ndriçuar figurën e heroit kombëtar Isa Boletini në më shumë aspekte.
Libri u botua me rastin e 100 vjetorit të rënies së Isa Boletinit, dhe me rastin e ngritjes së shtatores së tij në Komunën Saraj të Shkupit.