Kërçovë, do të zhvarrosen viktimat e vitit 1913

Në mbledhjen e dhjetë me radhë të këshillit të komunës së Kërçovës u miratua Propozimi për Vendimin për mbështetjen e iniciativës së bashkësive lokale për zhvarrosjen e trupave të viktimave të vitit 1913, gjegjësisht viktimave të rënë gjatë dy luftërave botërore. 

Propozimi u miratua me 12 vota “për” dhe 11 vota “kundër”. 

Kundër votuan këshilltarët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe LSDM, “Kërçovarët për Kërçovën” sipas të cilëve:

“Ky është një vendim jo i qartë. Zhvarrosja është një veprim shumë i shtrenjtë kurse ne nuk kemi asnjë material që të shohim se nga mund të vijnë financat. Që ta mbështesim këtë iniciativë do të na duhet edhe lista e njerëzve që kanë marrë këtë iniciativë dhe lista me emrat e  trupave të viktimave që duhet të zhvarrosen.”

Kryetari i këshillit të komunës së Kërçovës, Qamil Aliu, në lidhje më këtë tha:

“Numri i emrave të viktimave është shumë i madhe dhe do të shkojë paralel me ekshumimin e trupave. Në këtë vendim nuk ka asnjë lëshim që të bie ndesh me ligjet dhe kushtetutën. Sa i përket financimit, asnjë mjet nuk del nga komuna si shpenzim në lidhje me këtë iniciativë. Po të ndodhte një gjë e këtillë ju do të ishit në dijeni. Ne si komunë, vetëm e mbështesim këtë projekt dhe nuk e financojmë atë. Ka njerëz që janë vërtetë human dhe japin shuma të mëdha për këtë iniciativë, një prej tyre do të isha edhe vetë unë që si qenie njerëzore të kontribuoja që këto viktima të varrosen atje ku e kanë vendin. Numri i këtyre njerëzve dhe firmave që financojnë këtë iniciativë është shumë i madh.”

Vendimi gjithashtu përfshinte pikën që rivarrimi i këtyre viktimave të bëhet në bazë të riteve fetare, për çdo religjon të cilit i kanë takuar viktimat.

Gjatë kësaj seance u miratua edhe formimi i Komisionit të përkohshëm i cili do të ndjekë zhvarrosjen (ekshumimit) e këtyre viktimave me kryetarë Musli Musliun dhe gjashtë anëtarë.
Në Kërçovë janë zbuluar dy varreza masive që i takojnë kësaj periudhe dhe të dhënat tregojnë edhe për disa varre të tjera të zbuluara nëpër oborret e shtëpive të disa familjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button