BDI do ta mbështet Propozim-buxhetin, për PDSH-në ai është diskriminues

Propozim-buxheti për vitin 2014 sipas BDI-së e pasqyron programin e Qeverisë, ndërsa sipas PDSH-së bëhet fjalë për buxhet diskriminues.

Sipas Rexhail Ismailit nga BDI 25 për qind nga mjetet e parapara  me Propozim-buxhetin për vitin 2014 gjegjësisht 147 milionë euro janë paraparë për projekte në komunat ku shumicë janë shqiptarët. Ai thotë se shtesë janë mjetet që janë paraparë në sektorë e tjerë, si arsimi, të cilat nuk mund të ndahen.

Deputeti Ismaili tha se tërë këto projekte që janë planifikuar në programin qeveritar për vitin 2014 janë paraparë në buxhetin për vitin e ardhshëm.

Sipas Bekim Fazliut nga PDSH, me këtë Propozim-buxhet tashmë gjashtë vite me radhë diskriminohen shqiptarët dhe  stimulohet varfëria dhe papunësia. Vërejti se nuk janë paraparë mjete për zonën industriale në Tetovë, e as për projektet kapitale ku shumicë janë shqiptarët.
Në replikën zëvendëskryeministri Zoran Stavreski nuk u dakordua  me qëndrimin e Fazliut, duke theksuar se Buxheti i Republikës së Maqedonisë është buxhet për të gjithë qytetarët.

Theksoi se një pjesë e projekteve si blerja e pajisjeve mjekësore  dhe ndërtimi i spitaleve janë në dobi të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike.

Lidhur me zonën industriale në Tetovë zëvendëskryeministri Stavreski sqaroi se për këtë zonë është zgjedhur modeli i partneritet publiko-privat.

Debati në Komision sot do të zgjasë deri në orën 22, ndërsa nesër prej orës 10 deri orën 22.

Debati i përgjithshëm për Propozim-buxhetin edhe amendamente  e parashtruara mund të zgjasë gjithsej 10 ditë pune.

Lajme të ngjashme

Back to top button